Real Madrid ka vazhduar serinë pozitive, duke mposhtur në shtëpi Mallorcan në kuadër të xhiros së 19-të në La Liga.
“Los Blancos” triumfuan me rezultat minimal 1:0, sfidë në të cilën mungoi ylli kosovar Vedat Muriqi që vazhdon të jetë i lënduar.
Real Madrid ishte më dominuese nga minuta e parë, megjithatë që nuk krijoi shumë aksione të rrezikshme.
Në fakt, Mallorca i kishte dy mundësi të shkëlqyeshme me Antonio Sanchez dhe Daniel Rodriguez që goditën shtyllën.
Rastin më të mirë në takim e kishte sulmuesi Brahim Diaz, që disi dështoi të shënonte nga tre metra distancë në portën e zbrazur (72’).
Mirëpo, vetëm gjashtë minuta më vonë në skenë doli mbrojtësi Antonio Rudiger që realizoi me kokë për ta vulosur fitoren e vendasve pas harkimit të Luka Modricit (78’).
Me këtë fitore, Reali “blindon” kreun me 48 pikë duke qenë 10 mbi rivalët Atletico dhe Barcelona, derisa Mallorca zë pozitën e 14-të me 18 sosh.
Real Madrid pas tre ditëve do të përballet me Arandinan në Kupën e Mbretit, derisa më 10 janar e zhvillon gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës ndaj rivalit Atletico Madrid. Në rast që avancon në finale, atëherë përballet me fituesin e takimit Barcelona – Osasuna.