Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka paralajmëruar masa ndaj përgjegjësve në rastin e pacientes 35-vjeçare, e cila vdiq pasi kishte shkuar në një klinikë private në Malishevë për ta hequr një dhëmb.
Në reagimin e tij, Vitia ka thënë se ka kërkuar që të kontrollohet çdo hap e veprim i komisionit vlerësues që i paraprinë licencimit.
“Jemi të gjithë të tronditur dhe të pikëlluar nga vdekja e gruas 35 vjeçare në Malishevë teksa priste të mjekohej. Ky rast tragjik shënon një moment vendimtar për ndalimin e pandëshkueshmërisë dhe papërgjegjshmërisë në praktikat e licencimit”.
“Kam kërkuar me gjithë fuqinë që më jep ligji që të kontrollohet çdo hap e veprim i komisionit vlerësues që i paraprinë licencimit. Dhe çdo procedurë. Ndaj përgjegjësve, do të ketë masa”, ka shkruar ministri në Facebook.
Ai ka shtuar se në rast të evidentimit të shkeljeve penale, ato do të procedohen menjëherë në organet e drejtësisë.
“Ky rast nuk do të kalojë as në heshtje dhe as nuk do të tretet në harresë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes që humbi më të dashurën e tyre”, ka përfunduar Vitia.