Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ishte cak i disa sulmeve verbale nga zyrtarë të partisë në pushtet, LVV-së pas vendimi për masë të përkohshme ndaj Kuvendit të Kosovës.
Deklaratat e fundit të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve politikë, Gjykata i ka cilësuar ato si të papërgjegjshme dhe të dëmshme për demokracinë në vend.
“Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatës Kushtetuese janë të mbrojtura me Kushtetutë, dhe asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj. Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë”, thuhet në reagim.
“Çdo deklaratë që tenton të relativizojë apo paragjykojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe e dëmshme për zhvillimin demokratik të vendit”, theksohet më tej.
Në fund, Gjykata Kushtetuese apelon tek të gjitha palët që të respektojnë pavarësinë e saj dhe të kontribuojnë në forcimin e rendit kushtetues.
“Vetëm përmes respektimit të këtij parimi themelor mund të garantohet një shoqëri e drejtë, demokratike dhe funksionale për të gjithë qytetarët e Kosovës”, përfundon reagimi./Gazeta Infokus