Analisti dhe gazetari, Lirim Mehmetaj ka publikuar një video ku shihet emblema e UÇK-së në një tualet në Ministrinë e Drejtësisë.
Rreth kësaj kanë reaguar nga Ministria e Drejtësisë, duke thënë se video është një fabrikim i qëllimshëm që synon të dëmtojë reputacionin e Ministrisë dhe të nxisë përçarje.
Nga MD-ja kanë dënuar ashpër çdo përpjekje për ta përdhosur ose keqpërdorur këtë emblemë.
“Emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është një simbol i shenjtë që përfaqëson sakrificën dhe luftën për liri. Ministria e Drejtësisë dënon ashpër çdo përpjekje për ta përdhosur ose keqpërdorur këtë emblemë.”
“Videoja e publikuar së fundmi në rrjetet sociale është një fabrikim i qëllimshëm që synon të dëmtojë reputacionin e Ministrisë dhe të nxisë përçarje. Hapësira e paraqitur në video është e dedikuar për persona me aftësi të kufizuara, e cila prej kohësh përdoret vetëm për depozitimin e materialeve higjienike. Vendosja e emblemës së UÇK-së në atë vend është një akt i qëllimshëm nga persona keqdashës.” – thuhet në reagim.
Tutje nga Ministria e Albulena Haxhiu kanë thënë se dënojnë fuqishëm këto veprime keqdashëse dhe kërkon hetim nga organet kompetente.
“Në video xhirimin e mëposhtëm, i cili është filmuar me datë 13/12/2024 në ora 20:25, në Ministrinë e Drejtësisë, në katin e nëntë, në hapësirat e tualetit “923/A” nuk gjendet emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ministria e Drejtësisë dënon fuqishëm këto veprime keqdashëse dhe kërkon hetim nga organet kompetente për të identifikuar autorët dhe për të siguruar që ata të mbajnë përgjegjësi ligjore.
Ftojmë qytetarët dhe mediat që të mos bien pre e këtyre provokimeve. Emblema e UÇK-së mbetet një vlerë e shenjtë dhe e paprekshme për popullin tonë, dhe Ministria mbetet e përkushtuar për ta mbrojtur atë.” – thuhet ndër të tjera në njoftim.