Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Kurti ka deklaruar se kjo parti ende nuk është reformuar dhe, sipas tij, funksionon si një strukturë me disa qendra vendimmarrjeje.
Ai tha se “PDK-ja ka deri në pesë kryetarë partie”, duke shtuar se dy prej ish-kryetarëve ndodhen në Hagë dhe vazhdojnë të konsultohen për çështje politike.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, në një prononcim për FrontOnline ka folur lidhur me këto deklarata të bëra nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke i cilësuar si të papranueshme dhe fyese.
Sipas Qalajt, Kurti po sulmon PDK-në nga frika e suksesit dhe ngritjes së kësaj partie.
Ai e quajti “turp” mënyrën se si Kurti, tash si deputet, vazhdon të merret me PDK-në dhe me elektoratin e saj.
“Kryeministri i larguar ka fyer me gjuhë fyese tërë elektoratin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ka bërë një gabim të rëndë në adresimin e tij ndaj presidentit Thaçi dhe krye parlamentarit Kadri Veseli,” deklaroi Qalaj.
Më tej, ai akuzoi Kurtin se po vepron në linjë me Prokurorinë e Hagës dhe madje me shërbimet serbe duke sugjeruar se veprimet e tij kanë dëmtuar rëndë procesin ndaj Thaçit dhe Veselit.
‘’ Mendoj që deputeti Kurti është në linjë me Prokurorinë e Hagës ,është në linjë me shërbimet serbe’’, tha Qalaj.
Qalaj po ashtu tha se Kurti po përpiqet të pengojë lirimin e tyre, pasi, sipas tij, ata janë të pafajshëm dhe rikthimi i tyre në skenën politike është një zhvillim që Kurti I frikësohet
‘’ Sa i përket presidentit Thaçi dhe krye parlamentarit Veseli i ka dëmtuar ata shumë në Hagë meqenëse po i frikësohet lirimin të tyre sepse ata janë të pafajshëm’’, tha Qalaj për Front Online.