Gjatë ditës së sotme, FIFA ka gjobitur Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), për ndeshjen me Serbinë.
FIFA, vendosi gjobë prej 161 mijë eurosh për FSHF-në, shkak “sjelljet e përsëritura e të papërshtatshme dhe diskriminuese të një pjese të tifozëve shqiptarë”, ku po ashtu stadiumi do të jetë 20% bosh për ndeshjen ndaj Letonisë.
Kjo bëri të reagonte edhe tifogrupin e njohur, “Tifozat Kuq e Zi”, të cilët dolën me një deklaratë në rrjetet sociale.
“Një herë vendosen ta eliminojnë TKZ-në nga shpërndarja e biletave dhe ja rezultati: 161.000 euro dënim. Ky dënim kaq i madhë në vlerë monetare nuk ka ndodhur asnjëherë, as kur të gjitha tifogrupet kanë qenë në stadium prezent. Ky është “menaxhimi i kontrolluar” i biletave nga ana e FSHF-së. Kjo është pasqyra e vërtetë e politikës ndaj tifozëve të saj besnik”, deklaruan “Tifozat Kuq e Zi”.
Shqipëria, do të luajë ndeshjen e radhës në kualifikuesen e Botërorit 2026, ndaj Letonisë në “Air Albania”, më 9 shtator.