Kandidati për deputet i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, ka folur pas deklaratës së Fatmir Limajt të dhënë mbrëmë e ku është shprehur i gatshëm për të bërë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
Berisha, në një prononcim për “Periskopin” ka thënë se deklarata e Limajt është ”keqkuptuar dhe keqinterpretuar’.
Sipas tij, Limaj nuk e kishte fjalën për koalicion, por për të biseduar për çështje të mëdha për Kosovën.
“Deklarata e Fatmirit mendoj që është keqkuptuar se kund nuk foli për koalicion të mundshëm. Është keqkuptuar dhe keqinterpretuar. Me u ulë me biseduar për çështje të Kosovës dhe me u ulë me biseduar për koalicion, ka dallim”, është shprehur Berisha.
I pari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj është pyetur nëse ka vija të kuqe për ndonjë parti.
Ai ka deklaruar se është i gatshëm të negociojë me cilëndo parti që e fton.
“Kushdo që më fton në tavolinë, unë shkoj e ulna për tema nacionale. Çka po të vyen një qeveri jofunksionale, kurrë. Nuk hy në një qeveri jofunksionale. As me opozitën nuk e përjashtojë që ulem”, ka thënë Fatmir Limaj në “Debat Plus”.