Besnik Bislimi ka thënë se një nga të arriturat e Qeverisë është edhe zhbllokimi i procesit të liberalizimit të vizave, e hapat e parë drejt anëtarësimit në BE.
“Arritëm të zhbllokojmë procesin e liberalizimit të vizave e tashmë pak orë na ndajnë nga fundi i regjimit të vizave. Zhvilluam edhe fushatën informuese, për të pajisur të gjithë qytetarët me informatat e nevojshme për udhëtime pa viza. E kemi bërë hapin e parë drejt anëtarësimit në BE në 2022 përmes dorëzimit të aplikimit në Pragë, e ku këtë vit punuam me Presidencën suedeze të Këshillit të BE-së, për trajtimin e kërkesës e për të cilët jemi falënderues për bashkëpunimin. Kërkojmë edhe më shumë këtë vit, nga presidencat e ardhshme belge e hungareze, sepse Kosova meriton të shkojë tutje drejt integrimit në familjen evropiane”, ka theksuar Bislimi.
Ai më tej ka përmendur edhe raportin për vendin nga Komisioni Evropian, ku sipas tij u theksua ulja e ndjeshme e nivelit të papunësisë nga 19% në 11.8%.
“E rritja ekonomike, vazhdoi me ritme pozitive në rreth 3.8%, më e larta në Ballkanin Perëndimor, konstatuar dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar e Banka Botërore. Me Bashkimin Evropian, nënshkruam marrëveshje financiare nga programet IPA, e ku me IPA 2023, u mundësua ndihma financiare për vendin në shumën mbi 75 milionë euro, për përballjen me krizën energjetike”, ka shkruar më tej ai.
Derisa ka folur për qasjen e fqinjit verior, Bislimi ka thënë se janë zhvilluar fushata të frikësimit ndaj qytetarëve, janë sulmuar institucionet, KFOR-i e gazetarët.
“Qasja e fqinjit tonë verior, u bë dhe më agresive këtë vit, kur zhvilluan fushata të frikësimit ndaj qytetarëve për bojkotimin e zgjedhjeve të prillit, sulmuan institucionet tona në veri, KFOR-in dhe gazetarët përmes grupimeve kriminale, rrëmbyen tre zyrtarë tanë policor brenda territorit të Republikës sonë dhe organizuan një akt agresioni e ushtarak, me qëllim aneksimin e veriut e destabilizimin e rajonit ku vranë dhe rreshterin e heroin Afrim Bunjaku”, ka thënë ai.
Bislimi ka thënë se edhe targat dhe energjia ishin dy nga çështjet që sipas tij u adresuan dhe ecën drejt epilogut.
“Pas këmbënguljes në qëndrimet tona parimore e të drejta. Pas më shumë se 20 vitesh rryma do të paguhet në veri, e pas më shumë se 10 vitesh Serbia njoftoi se do t’i njohë targat RKS. Kemi Marrëveshjen Bazike të Brukselit e Aneksin e Zbatimit të Ohrit, të cilën Serbia refuzon në vazhdimësi ta nënshkruajë. E përveçse verbalisht, tashmë refuzimin e kemi edhe në të shkruar e si qëndrim zyrtar, përmes letrës së kryeministres Bërnabiq gjatë këtij muaji”, është shprehur ai.