Kandidati për kryetar të Drenasit nga radhët e PDK-së, Petrit Hajdari, ka reaguar ndaj një videoje që qarkullon në media, ku pretendohej se pas fitores së tij, PDK-ja do të heqë emrin e Fehmi Lladrovcit nga sheshi i kësaj komune.
Hajdari e ka quajtur këtë akuzë si të pabazuar dhe të dëmshme, duke theksuar se emri i Fehmi Lladrovcit, hero kombëtar, do të mbetet i patundur dhe se PDK-ja është e vendosur të mbrojë nderin e tij duke siguruar se, si kryetar i ardhshëm, do të bëjë gjithçka që është e mundur për të ruajtur këtë trashëgimi, transmeton klankosova.tv.
”FEHMI LLADROVCI NUK PREKET
Ditëve të fundit, në qarkullim është një video e gërditshme e një përkrahësi të pushtetit, i cili në stilin e Vetëvendosjes, pra si thashethem, ka nxjerrë një video ku pretendon se PDK-ja ka thënë se pas fitores do t’ia heqë sheshit emrin e Fehmi Lladrovcit.
Përveç padisë për shpifje që padyshim do ta presë personin në fjalë, në vijim sqaroj:
E para, propozuesi dhe inicuesi i emrit të sheshit në Asamblenë Komunale kam qenë unë bashkë me grupin e PDK-së.
E dyta, duke mos e ditur a është nga Drenasi personi në fjalë, krejt çka është thënë këtu është shpifja që synon dëmtimin e PDK-së, pasi e kanë parë që fitorja jonë është e pashmangshme.
E treta, JU GARANTOJ që asnjëherë, në asnjë rrethanë FEHMI LLADROVCI NUK PREKET. Ai është hero kombëtar që është edhe përtej komunës sonë. Jo vetëm kur unë të jem kryetar, por edhe në pleqërinë time do të organizohesha të mos e lejoj një gjë të tillë pavarësisht kush është në zyrë. KURRË!
PDK është e qartë: Propaganda nuk kalon”.