Faruk Isufi nga Klina ka ndërruar jetë pas të shtënave me armë zjarri në fshatin Bokshiq.
Për vrasjen dyshohet vëllai i tij, Jetmiri Isufi, ish-futbollist i KF Dukagjinit, pas një mosmarrëveshjeje verbale, raporton Sinjali
Tanimë, lidhur me rastin është deklaruar edhe Prokuroria Themelore në Pejë, nga ku është njoftuar se i dyshuari është arrestuar dhe se i njëjti me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë, përcjell Gazeta Express.
‘’ Viktima është dërguar për në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor, mirëpo si pasoje e plagëve të rënda viktima ka humbur jetën. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar nga Spitali Rajonal i Pejës’’, thuhet mes tjerash në njoftim.
Nga prokuroria bëhet e ditur edhe se, në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitet relevante policore, Prokurori i Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda, të cilët kanë sekuestruar armën e cila dyshohet që është përdorur në rast dhe prova të tjera relevante






