Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit janë pranuar në prova materiale disa dokumente që ndërlidhen me viktima të vrasjes së pretenduar në aktakuzën e prokurorisë. Ndërsa, në një rast, disa dokumente në lidhje me një viktimë u pranuan në prova materiale edhe pse viktima nuk përmendej me emër në
Vendimi është marrë më 29 maj nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa, mocionin për pranim në prova të dokumenteve që kanë të bëjnë me viktima të vrasjes, Prokuroria e kishte dorëzuar më 13 dhjetor 2024.
Pasi ishte përgjigjur mbrojtja, me autorizimin e trupit gjykues, Prokuroria kishte ndryshuar më 7 prill 2025 listën e dokumenteve të propozuara. Dokumenteve të propozuara i ishte shtuar vetëm një dokument tjetër i cili ishte përmbledhje dokumentesh që lidheshin me autopsinë, analizat e ADN-së dhe identifikimin e një viktime të përmendur në aktakuzë.
Sipas dokumentit, të gjitha viktimat përveç njërës përmenden në aktakuzën e Prokurorisë në këtë rast.
ZPS-ja kishte thënë se dokumentet e propozuara vërtetojnë keqtrajtimin apo vdekjen e disa viktimave, siç thuhet edhe në aktakuzë. Ndërsa, disa dokumente të tjera tregojnë rrethana apo shkaqe të ngjashme të vdekjes së viktimave në të njëjtin vend.
Këto prova, sipas Prokurorisë, përforcojnë provat për trajtimin mizor dhe torturat ndaj të ndaluarve që kanë mbijetuar në qendrat e ndalimit.
Mbrojtja ka thënë se këto dokumente nuk mund të pranohen në prova materiale pasi vlera e tyre provuese tejkalohet nga efekti paragjykues pasi ata nuk mund të sfidojnë këto dokumente me dëshmitarët.
“…një raport autopsie apo gjetje lidhur me shkakun e vdekjes janë dëshmi qendrore në një gjykim për vrasje dhe nuk mund të pranohen pa u sfiduar, në kundërshtim me Rregullën 149; (v) raportet dhe analizat e ADN-së janë gjithashtu dëshmi ekspertësh dhe certifikatat e ADN-së nuk përmbushin pragun minimal të besueshmërisë; (vi) deklaratat e antropologëve forenzikë lidhur me zhvarrimet përbëjnë gjithashtu dëshmi ekspertësh, siç është njohur nga tribunalet ndërkombëtare penale, dhe për këtë arsye duhet të pranohen përmes dëshmitarëve ekspertë, në përputhje me Rregullën 149; (vii) dokumentet e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (“UNMIK”) dhe Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (“TPNJ”) që ZPS-ja kërkon të paraqesë përbëjnë të dhëna për atë që një person ka thënë lidhur me fakte dhe rrethana përkatëse për rastin, në kontekstin e një hetimi penal, dhe për rrjedhojë përbëjnë deklarata dëshmitarësh”, thuhet të ketë parashtruar mbrojtja.
Po ashtu, edhe fotografitë që Prokuroria i ka propozuar për pranim në prova në mesin e këtyre dokumenteve, mbrojtja thotë se janë të papranueshme pasi ato nuk janë sqaruar përmes dëshmive gojore.
“Trupi gjykues nuk mund të vlerësojë peshën e dëshmive të ekspertëve në mënyrë abstrakte, veçanërisht pasi dëshmitë kanë të bëjnë me çështje teknike përtej ekspertizës së trupit, dhe duhet për këtë arsye të dëgjojë nga ekspertët dhe të lejojë sfidimin e provave”, thuhet në dokumentin, i cili përmbledh përgjigjen e mbrojtjes në këtë mocion.
Përveç kësaj, Prokuroria i ishte përgjigjur mbrojtjes duke thënë se parashtrimi i këtyre të fundit ishte tërësisht i pabazë.
Ndryshe, sipas vendimit, dokumentet e propozuara nga 1 deri tek 9 kishin të bënin me një numër të viktimave për të cilat ka pretendime edhe në aktakuzë. Përkatësisht, dokumentet nga 1 deri në 5 ishin fotografi të bëra të mbetjeve njerëzore nga zhvarrosja. Ndërsa, dokumentet 6 dhe 7 janë raporte identifikimi të viktimave në vendndodhje përkatëse.
Kurse, dokumenti i 8-të ishte një raport nga një hetim “ante mortem” për një vendvarrim në një vendndodhje që thuhet se është e rëndësishme për vlerësimin e rrethanave për vdekjen e viktimës. Por, dokumenti i fundit në këtë grup ishte një raport zhvarrimi që i referohej një viktime specifike.
“Në dritën e sa më sipër dhe duke vlerësuar përmbajtjen e ekzemplarëve të propozuar, trupi gjykues është i bindur se ekzemplarët e propozuar 1-9 janë të rëndësishëm për pretendimet dhe akuzat në aktakuzë”, thuhet në vendim.
Sipas vendimit, dokumentet e mësipërme mbajnë logo të EULEX-it, dhe Zyrës për Personat e Zhdukur dhe Mjekësisë Ligjore, kanë data për secilën fotografi dhe i referohen emrit të fotografit forenzik, gjë që këto detaje përmbushin parimin e autenticitetit.
Përveç kësaj, trupi gjykues thotë se mbrojtja do ta ketë mundësinë që t’i trajtojë këto argumente dhe të sfidojë përmbajtjen e tyre gjatë paraqitjes së provave të saj në rast që do e bëjë. Si rrjedhojë, këto dokumente u pranuan në prova materiale.
Prova e propozuar 10 ka të bëjë me një viktimë (19.1) të pretenduar dhe saktësisht është një raport mbi ekzaminimin e gjetjes dhe identifikimin e mbetjeve mortore të kësaj viktime. Sipas vendimit, ZPS-ja ka thënë se këtë raport e ka marrë nga Gjykata Themelore e Prizrenit.
“Për më tepër, Paneli vëren se provat e propozuara janë të rëndësishme dhe mund të mbështesin dëshminë e caktuar të dëshmitarëve, provat dokumentare dhe faktet e konstatuara që Paneli i ka marrë në dijeni gjyqësore. Në dritën e sa më sipër, Paneli është i bindur se prova e propozuar 10 është e rëndësishme për pretendimet dhe akuzat në aktakuzë”, thuhet në vendim.
Ndërsa, provat nga 11 deri në 13 kanë të bëjë me pesë viktima (20.1, 22.2, 22.3, 23.1 dhe 23.2) dhe janë dokumente që identifikojnë këto viktima për të cilat Prokuroria ka thënë se mbështesin dëshmi të caktuara të dëshmitarëve,
“Në dritën e sa më sipër, Paneli është i bindur se provat e propozuara 11-13 janë të rëndësishme për pretendimet dhe akuzat në aktakuzë”, thuhet në vendim.
Edhe provat nga 14 deri në 25 kanë të bëjë me disa viktima (viktimat 18.1 deri në 18.12).
Prova 14 sipas vendimit përbëhet nga një raport zhvarrimi si dhe identifikon viktimat që janë gjetur në këtë vend. Kurse, provat nga 15 deri në 24 janë raporte të autopsisë të mbetjeve mortore te gjetura, që identifikojnë viktimat dhe përcaktojnë shkakun ose rrethanat e vdekjes. Ndërsa, prova 25 është një fotografi me ngjyra në të cilën është vendi i zhvarrimit.
Prokuroria ka kërkuar që në prova materiale të pranohen edhe disa dokumente që sipas radhës janë nga 26 deri në 28. Për këtë të fundit, trupi gjykues ka konstatuar se kërkesa është e panevojshme për shkak se ky dokument tashmë është i pranuar në prova materiale.
Kurse, për dokumentet 26 deri në 27, kanë të bëjnë me një viktimë (17.1) për të cilën trupi gjykues ka thënë se janë të rëndësishme për pretendime për keqtrajtim ose për shkakun dhe rrethanat e vdekjes së kësaj viktime të pretenduar siç edhe e specifikon aktakuza.
Si rrjedhojë, dokumentet 26 dhe 27 u pranuan në prova materiale pasi u konstatua se i përmbushin kushtet e vlerës provuese dhe autenticitetit.
Dokumentet nga 29 deri në 32 sërish kanë të bëjnë me viktimat (16.1 dhe 16.2). E para nga këto është raport mbi nxjerrjen e dy grupeve të mbetjeve mortore nga një vend. Kurse, dokumenti i 30-të është përmbledhje e dokumenteve mjeko-ligjore për një viktimë. Ndërsa, dokumentet 31 dhe 32 janë regjistra fotografish që përshkruajnë fotografitë e marra të mbetjeve mortore të zhvarrosura në vende specifike.
Dokumentet 33 deri në 55 thuhet se përmbajnë informacione për një numër viktimash (1.1 deri në 1.9).
Sipas trupit gjykues, dokumentet e propozuara 46 dhe 48 deri në 54 tashmë janë pranuar. Ndërsa, dokumentet nga 33 deri në 45, 47 dhe 55 janë dokumente të UNMIK-ut dhe dokumente mjeko-ligjore që lidhen me vendndodhje dhe persona të caktuar të cilat u pranuan në prova materiale.
Dokumentet nga 56 deri në 59 lidhen me vdekjen e një viktime të emërtuar si 34.1. Për këto materiale, trupi gjykues ka thënë se janë të rëndësishme për disa dëshmi të dëshmitarëve, për disa prova dokumentare dhe fakte të gjykuara për të cilat trupi gjykues ka marrë aktgjykim.
“Trupi gjykues vëren paraqitjen e ZPS-së se dokumentet e propozuara janë të rëndësishme për disa dëshmi të dëshmitarëve, prova dokumentare dhe fakte të gjykuara për të cilat trupi gjykues ka marrë aktgjykim gjyqësor”, thuhet në vendim.
Prova e propozuar e 60-të ka të bëjë me një person dhe përbëhet nga një certifikatë e vdekjes së tij, e që ky person nuk ka identitet të zbuluar në dokument e as numër siç ishte në rastet paraprake.
Përveç vdekjes së këtij personi, ky dokument thuhet që lidhet edhe me rrethanat e ndalimit të pretenduar të tij, sjelljen që kishte pësuar në një vendndalim, etj.
Sipas vendimit, trupi gjykues ka thënë se ky person nuk është viktimë e përmendur me emër në aktakuzë ose në shtojcat e saj. Megjithatë, sipas tyre, prova e vdekjes së tij në ndalimin e UÇK-së është e rëndësishëm për të përcaktuar disa modele lidhur me trajtimin dhe vrasjen e pretenduar të të ndaluarve nga UÇK-ja dhe shkakun e rrethanat e vdekjes së disa prej këtyre të ndaluarve. Si rrjedhojë, ngjashëm si dokumentet e mësipërme, edhe këtë trupi gjykues e pranoi në prova materiale.
Provat 61 dhe 62 kanë të bëjnë me viktimat “8.1” dhe “8.2”. E para është një përmbledhje dokumentesh të autopsisë dhe zhvarrimit të një viktime, kurse dokumenti i dytë është një certifikatë e vdekjes dhe një raport autopsie për një viktimë.
Sa i përket autenticitetit, vendimi thotë se këto dokumente përmbajnë logot zyrtare të Ish-Tribunalit Ndërkombëtar për Jugosllavinë dhe UNMIK-ut. Përveç kësaj, thuhet se efekti paragjykues nuk tejkalon vlerën provuese dhe si rrjedhojë u pranuan në prova materiale.
Dokumentet e propozuara 64 deri në 71 kanë të bëjnë me viktimat 91.1 deri në 9.8 dhe janë kryesisht dokumente që lidhen me vdekjen e vikimave, raporte autopsie, certifikata të vdekjes, raporte zhvarrimi, identifikimi, si dhe analiza të ADN-së. Duke e vlerësuar autenticitetin dhe vlerën provuese, trupi gjykues i ka pranuar në prova materiale.
Prova e propozuar 72 lidhet me viktimën “26.1”, që është koleksion dokumentesh që lidhen me zhvarrimin e një viktime specifike.
Kurse, provat e propozuara nga 73 deri në 76 kanë të bëjnë me viktimën “13.1”. Dokumenti i fundit tashmë është pranuar në prova materiale dhe si rrjedhojë kërkesa e Prokurorisë për këtë dokument është shpallur e pavlefshme.
“Lidhur me relevancën e dëshmive të propozuara 73-75, Paneli vëren se ZPS-ja pretendon se ato lidhen me një viktimë të pretenduar [E REDAKTUAR]. Paneli vëren se dëshmitë e propozuara 73-75 përbëhen nga dokumente që lidhen me vdekjen dhe identifikimin e një viktime të caktuar. Paneli është i bindur për relevancën e këtyre artikujve në lidhje, në veçanti, me pretendimet për keqtrajtim dhe/ose shkakun dhe rrethanat e vdekjes së një viktime të pretenduar siç janë parashtruar në aktakuzë”, thuhet në vendim.
Ndërsa dokumentet e fundit të propozuara në këto mocione, janë nga 77 deri në 90 dhe kanë të bëjë me disa viktima (10.1 deri në 10.15).
“Provat e propozuara 77-90 përbëhen nga dokumente që lidhen me vdekjen dhe identifikimin e një viktime të caktuar”, thuhet në vendim.
Ndërsa, materiali 63 u refuzua që të shtohet në prova materiale, pasi sipas trupit gjykues, Prokuroria është dashur që ta përfshijë këtë dokument në listën e saj të provave para fillimit të gjykimit dhe nuk ka treguar arsye bindëse se pse nuk ka arritur që ta bëjë këtë.
“Turpi Gjykues: (a) E PRANON Mocionin; (b) E HEDH POSHTË kërkesën e ZPS-së për leje për të shtuar Materialin Shtesë (Provën e propozuar 63) në Listën e provave; (c) I PRANON si prova provat e propozuar 1-27, 29-62, 64-75 dhe 77-90, përfshirë çdo përkthim të tyre”, thuhet në vendim.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020