Një rast tronditës ka goditur futbollin e femrave në Angli, pasi Federata Angleze (FA) ka dënuar me 12 vite pezullim një ish-trajner të një skuadre të kategorisë së katërt.
Ryan Hamilton u shpall fajtor për dërgimin e mesazheve, fotografive dhe videove me përmbajtje eksplicite ndaj lojtareve dhe një anëtareje të stafit, sipas vendimit të publikuar nga FA pas një seance disiplinore muajin e kaluar.
Sipas dokumenteve të publikuara (përmes BBC), Hamilton përdori rrjetet sociale Snapchat dhe WhatsApp për të dërguar fotografi të organeve gjenitale dhe video ku shfaqej duke kryer akte seksuale me veten. Ai gjithashtu bëri në mënyrë të përsëritur sugjerime për marrëdhënie seksuale me lojtare, duke përmendur edhe ambientet e zhveshtoreve dhe zyrave të klubit.
Paneli disiplinor konstatoi se sjellja e tij nuk ishte vetëm me natyrë seksuale, por edhe psikologjikisht abuzive. Hamilton u përshkrua si një trajner me stil menaxhimi agresiv dhe bullizues, duke poshtëruar dhe nënçmuar lojtare deri në pikën që disa prej tyre refuzuan të vazhdonin të përfaqësonin klubin.
Pesë gra, përfshirë katër lojtare, dorëzuan ankesa në tetor 2024, duke ofruar atë që FA e cilësoi si “prova të besueshme dhe bindëse” për një periudhë dyvjeçare abuzimi.
Hamilton mohoi akuzat, por nuk bashkëpunoi plotësisht me hetimin dhe e ndërpreu intervistën e tij me FA përpara përfundimit.
Komisioni rregullator theksoi se ai nuk tregoi “asnjë reflektim, pendesë apo ndërgjegjësim” për dëmin e shkaktuar. Si rezultat, 23 nga 24 akuzat për sjellje të papërshtatshme u vërtetuan.
Kryetarja e panelit, Jane Bickerstaff KC, deklaroi se Hamilton kishte qenë në një pozitë besimi dhe autoriteti mbi lojtaret, të cilën e kishte keqpërdorur në mënyrë mizogjene dhe seksualisht të papranueshme. Ajo shtoi se ndalimi i menjëhershëm nga çdo aktivitet futbollistik ishte masa e vetme e duhur.
Hamilton u largua nga Sutton Coldfield Town Women në nëntor 2024. Çështja tashmë është mbyllur, ndërsa dënimi i FA dërgon një mesazh të fortë se sjellje të tilla nuk do të tolerohen në futboll.






