Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, është duke zhvilluar hetime intensive në bashkëpunim me hetuesit e Sektorit të Hetimeve Financiare, në rastin e koduar me emrin “Mati”, ku gjatë muajit shtator të vitit të kaluar ishin arrestuar tre persona.
PSRK njofton opinionin publik se në kuadër të këtyre hetimeve, deri tash pasuria e sekuestruar kap vlerën rreth 2,286,054.00 Euro.
Kjo pasuri shtesë është identifikuar gjatë hetimeve në bashkëveprim dhe mbikëqyrje të ngushtë me prokurorin e lëndës nga Prokuroria Speciale, në emrin e të dyshuarit Sh.C., e cila me urdhër ndalues përfundimtar të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special është sekuestruar, si në vijim:
20njësi banesore në sipërfaqe të tërësishme 1788.41 m², me vlerë të përafërt të tregut në lartësi 1,788,410.00 Euro.
2 lokale afariste me sipërfaqe të tërësishme 167.54 m², me vlerë të përafërt të tregut në lartësi 335,080.00 Euro;
17 vendparkingje (garazha) me sipërfaqe të tërësishme 241.96 m², me vlerë të përafërt të tregut 145,176,00 Euro
6 depo me sipërfaqe të tërësishme 28.87 m², me vlerë të përafërt të tregut 17,388.00 Euro;
Rasti është nën hetime në drejtim të veprës penale “Shpëlarja e Parasë”, dhe për veprimet tjera publiku do të njoftohet në kohë.