Haradinaj, duke folur në emisionin Pressing, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk duhet të krijojë lidhje të shkurtra, duke çuar miqtë e tij në institucione ku ka shumë mjete financiare.
“Po bën gabim që po krijon lidhje të shkurtra. Nuk bën me i dërgu në institucione ku ka pare krejt dostat. Ky rast mund të jetë i pari që i ka ndodh. Ndoshta ata e dojnë njëri-tjetrin dhe e dojnë shumë paren, por ka me u shkaktu pasoja”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka deklaruar se Kurti ka dalë në anën e a të arrestuarit, duke sulmuar Prokurorinë.
“Unë besoj që Kurti ka paniku shumë. Është problem me dalë kryetari i qeverisë me njeriun e arrestum dhe jo me prokurorin”, ka vazhduar ai.
Haradinaj ka krahasuar rastin e tij sa ishte kryeministër me ish-prokurorin Elez Blakaj, i cili kishte lëshuar vendin pas një përplasje me të që lidhje me rastin e listave të fryra të veteranëve.
Ai ka thënë se në atë kohë ishte “pushkatuar” nga Vetëvendosje për përplasjen me ish-prokurorin Blakaj. Sipas tij, tani VV po “pushkaton” prokurorin.
“Mua më ka ardhur një prokuror, që se kam njohur kurrë, më ka lypë takim dhe ma ka lypë dosjen e veteranëve, me gjithë vrasjet që i kam pasur. Kur i kam shkru shkresë vetëm me i thënë raporto për fajlin tim çfarë ke bërë, mua më ka pushkatuar Vetëvendosje. Tash kur u arrestu dikush i VV-së, tash u pushkatu prokurori”, ka thënë ai.
“Ky nuk i ka shpallur luftë korrupsionit, mbajeni mend”, ka deklaruar Haradinaj, duke aluduar në kryeministrin Kurti.