Zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj, në një konferencë për media të hënën, ka treguar kronologjinë e rastit të 11-vjeçares së dhunuar dhe trafikuar në Prishtinë nga 11 persona në muajin qershor dhe gusht të këtij viti.
Ajo ka njoftuar se fillimisht më 21 qershor, viktima ishte raportuar e zhdukur nga nëna e saj, ndërsa një ditë më pas është gjetur dhe është intervistuar nga policia, me ç’rast edhe është dërguar në strehimore.
Një ditë më vonë, është kërkuar të bëhet ekzaminimi fizio-gjinekologjik, por edhe ekzaminimi i ADN-së në trupin e viktimës për shkak të dyshimeve se është shfrytëzuar seksualisht nga persona të ndryshëm.
“Më 21 qershor, e mitura ka dalë nga shtëpia rreth orës 08:00 për të cilin rast nëna e saj e ka raportuar si person i zhdukur dhe me të njoftuar prokurori kujdestar i departamentit për të mitur, i njëjti ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore. Të nesërmen në orën 08:22 në stacionin policor të veriut, është gjetur e mitura dhe menjëherë është intervistuar në prezencë të punëtorit social dhe është dërguar në strehimore. Më datë 22 qershor, hetuesit e kësaj drejtorie kanë njoftuar prokurorin e departamentit për të mitur dhe kanë paraqitur kërkesë për ekzaminim fizio-gjinekologjik. Më datë 23 qershor të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur urdhëresë për ekzaminim e ADN-së në trupin e viktimës dhe në këtë urdhëresë ka paraqitur që kërkesa është urgjente”, ka thënë Ulaj.
Pas këtyre urdhëresave më tej është kërkuar që telefoni i viktimës të dërgohet për ekzaminim, ndërsa ekzaminimi është kryer më datë 1 qershor, ku ka përfunduar me arrestimin e gjashtë personave të dyshuar për trafikim dhe dhunim të fëmijës gjatë muajit qershor.
“Më pas është kërkuar që telefoni i viktimës të dërgohet për ekzaminim. Më pas është kërkuar të bëhet ekzaminimi i telefonit më 27 qershor, më 27 qershor është bërë kërkesa për tërheqjen e kamerave të moteleve se ku ka mundur të shkojë viktima. Pas ekzaminimit të telefonit më 1 shtator, është arritur të identifikohen dhe të gjenden personat që janë përfshirë në këtë rast”, ka thënë ajo.
Ulaj ka njoftuar se viktima ka qëndruar rreth një muaj në strehimore dhe me kërkesë të familjes, është liruar më 21 korrik nga strehimorja.