Gjashtë milionë euro janë ngrirë në rastin “Brezovica”, në të cilin edhe sot Policia e Kosovës ndërmorri disa aksione në disa lokacione të vendit.
Prokurori i rastit, Rasim Maloku tha se janë konfiskuar armë, vetura e prova materiale, shkruan lajmi.net.
Vlera e ngrirë deri tash kap shifrën e gjashtë milionë eurove siç bëri të ditur ai.
“Sot kemi zbatuar një urdhër në disa lokacione, 4 persona janë në kërkim pasi nuk janë gjetur në shtëpitë e tyre. Janë konfiskuar disa prova matertiale, vetura, armë. E rëndësishme është se gjatë zhvillimit të hetimeve prej 21 dhjetor deri më tani, nga të dhënat financiare që kemi siguruar, deri më tani kemi ngrirë afër 6 milionë euro”, tha ai.
“Shumica e këtyre mjeteve janë të vetë të pandehurve kurse një pjesë e tyre janë të familjarëve që dyshohet se janë përfituar si dobi pasurore nga veprat penale. Ky proces do të vazhdojë në ditët e ardhshme”, ka thënë Maloku.
Nga Prokuroria bënë të ditur po ashtu se janë ndaluar për 48 orë kryeinspektori Bedri Halimi si dh eish-sekretari Arben Çitaku.