Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj 15 të dyshuarve B.S., F.S., E.S., A.S., L.H., Sh.R., R.A.,M.A., K.G., S.B., A.M.,B.A.,B.O., N.A., dhe Sh.H., të cilët u arrestuan të enjten lidhur me rastin “Brezovica”.
Përmes një komunikate për medie, kjo Prokurori bën të ditur se është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 15 ditësh për 15 të dyshuarit.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj pesëmbëdhjetë (15) të pandehurve me inicialet: B.S., F.S., E.S., A.S., L.H., Sh.R., R.A.,M.A., K.G., S.B., A.M.,B.A.,B.O., N.A., dhe Sh.H., të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për shkak të dyshimit të veprave penale “Fajdeja” nga neni 331 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Shmangia nga tatimi” nga neni 307 paragrafi 1 të KPRK-së dhe “Detyrimi” nga neni 328 paragrafi 2 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se në këtë aksion të Prokurorisë, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe sekuestruar: para, vetura, armë dhe dokumente të ndryshme.