25.6 C
New York
Sunday, July 7, 2024

Buy now

“Rasti Brezovica 1”, dënohen dy me nga 1 vit burgim, i treti dënohet me burgim me kusht dhe 20 mijë euro gjobë

- Advertisement -

Gjykata Themelore në Ferizaj ka marrë aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve në rastin “Brezovica 1”, Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Labinot Vitija. Millosavljeviq dhe Bajrami u dënuan me nga 1 vit burgim efektiv dhe nga 500 euro gjobë. Kurse, Vitija u dënua me 1 vit burgim me kusht dhe 20 mijë euro gjobë.

Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, Ilir Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Të akuzuarit Millosavljeviq dhe Bajrami për pikën 2 të dispozitivit të ndryshuar të aktakuzës u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga 1 vit burgim dhe nga 500 euro gjobë.

Po ashtu, të njëjtëve iu shqiptua edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë apo në shërbime publike në kohëzgjatje prej 1 viti, pas vuajtjes së dënimit.

I akuzuari Vitija, u dënua me 1 vit burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse për dy vjet i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale. I njëjti u dënua edhe me 20 mijë euro gjobë.

Të akuzuarit u obliguan t’i paguajnë edhe shpenzimet e procedurës (secili veç e veç) nga 50 euro për paushallin gjyqësor dhe nga 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Kurse, për pikën 1 dhe 3 të dispozitivit të ndryshuar të aktakuzës, Bajrami dhe Millosavljeviq lirohen nga akuza sepse nuk është provuar se kanë kryer veprën penale. Për këtë pjesë, shpenzimet e procedurës i bartë gjykata.

Në këtë rast po akuzohet edhe Gentjan Sula, mirëpo ai po gjykohet ndaras ndaj tre të tjerëve.

Sipas aktakuzës së ndryshuar më 31 maj 2024, të akuzuarit Dragomir Millosavljeviq dhe Hysni Bajrami ngarkoheshin se prej 30 dhjetorit 2015 deri më 9 gusht 2019 si inspektorë komunalë të ndërtimit në Komunën e Shtërpcës nuk kanë ndërmarrë veprime për të ndaluar mbindërtimin e objektit hotelier “Kaona” me pronare Sanije Geci, i cili objekt në kundërshtim me lejen ndërtimore është ndërtuar në parcelat kadastrale numër 5799/16 dhe 5799/17 ZK Verbeshticë, të cilat gjenden në zonën e III-të të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Aktakuza e ndryshuar thotë se për këtë objekt, leja ndërtimore është dhënë sipas projektit për sipërfaqen prej 835,14m², kurse investitori ka vazhduar me zgjerimin e sipërfaqes bazike të objektit duke kaluar 2.95 m në pronën ujore të Lumit Murrzhica, si dhe ka vazhduar me mbindërtim duke rritur sipërfaqen në 1821,56 m, i cili ndërtim është përfunduar në kundërshtim me Ligiin për Ujërat e Kosovës, Ligiin për ndërtimin dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Me këtë, ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës së ndryshuar, të akuzuarit Millosavljeviq dhe Bajrami ngarkoheshin se prej 24 korrikut 2017 deri më 9 gusht 2019, si inspektorë komunalë të ndërtimit në Komunën e Shtërpcës, nuk kanë ndërmarrë veprime për të ndaluar ndërtimin tetë vikend shtëpive në parcelën kadastrale 5713 ZK Verbeshticë, e cila gjendet në Zonën e II të Parkut Kombëtar Sharri, të investitorit Riad Hasani, për të cilat vikendshtëpiza ishin anuluar lejet ndërtimore nga Drejtoria e Urbanizmit sipas vendimit të 24 korrikut 2017, të cilat janë ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për ndërtimin, Ligjin per mbrojtjen e mjedisit, Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” dhe Planin Hapësinor për Prakun Kombëtar “Sharri”.

Me këtë, akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal.

Aktakuza e ndryshuar thotë se nga 5 nëntori 2018 deri më 9 gusht 2019, Millosavljeviq dhe Bajrami, ngarkohen se nuk kanë ndërmarrë veprimet për ndërprerjen e punimeve në objektin e investitorit Dalibor Trufunoviq, i cili ishte duke ndërtuar pa leje ndërtimore, me ç’rast tani të pandehurit në cilësinë e inspektorëve të ndërtimit kanë kryer inspektimet, kanë hartuar procesverbalet dhe kanë nxjerrë vendim me të cilin kanë urdhëruar investitorin për ndërprerjen e punimeve dhe rrënimin e objektit pa leje, mirëpo nuk kanë vendosur shiritat për ndërprerjen e punimeve, kështu që objekti është ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për ndërtimin, Ligjin për Ujërat e Kosovës dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Me këtë, ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës së ndryshuar, i akuzuari Labinot Vitijaj ngarkohej se nga 22 shkurti 2011 deri më datën 15 korrik 2016, në Parkun Kombëtar “Sharri” vikend-zona e Brezovicës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, drunjtë e parkut, duke ndërtuar 4 vikend shtëpiza në Zonen e III-të dhe një vikend shtëpizë në zonën e II-t të Parkut Kombetar “Sharri”, në parcelat kadastrale 5713/4, 5713/5, 5713/6 dhe 5716/6 dhe 5717/6, Zona Kadastrale Verbeshticë, me kulturë “Livadh dhe Mal”, në kundërshtim me Ligiin për mbrojtjen e mjedisit dhe Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”, të cilat ndërtime kanë degraduar mjedisin në pasuritë e mbrojtura të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale ‘Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” nga neni 347, par.1 lidhur me par.5 të Kodit Penal.

Të akuzuar në rastin “Brezovica 1” janë Dimitrije Reciceviq, Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Sanije Geci, Naser Kelmendi, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Riad Hasani, Labinot Vitija, Gentjan Sula dhe Arian Idrizaj.

Në seancën e mbajtur më 9 gusht 2023, prokurori Rasim Maloku është tërhequr nga akuza ndaj të akuzuarve Dimitrije Reciceviq dhe Sanije Geci.

Më 1 shkurt 2024, tre të akuzuarit Blerim Imeri, Naser Kelmendi dhe Arian Idrizaj janë dënuar 65 mijë euro (së bashku) për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”

Kurse, më 5 shkurt 2024, i akuzuari Gentjan Sula është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”. Ndaj tij, në seancën e mbajtur më 6 shtator 2023, ishte veçuar procedura.

Ndërsa, në seancën e mbajtur më 6 shkurt 2024, i akuzuari Riad Hasani është dënuar me 15 mijë euro gjobë për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”.

Më 15 shkurt 2024, i akuzuari Fatmir Grainca është dënuar me 15 mijë euro gjobë për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”.

Andaj, gjykimi në rastin “Brezovica 1” është duke vazhduar për të akuzuarit Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Labinot Vitija dhe Gentjan Sula. Ky i fundit në gjykim të ndarë ndaj tre të tjerëve.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit