12 C
New York
Monday, November 25, 2024

Buy now

Rashiti: Zhvillimet në veri rezultat i formës jo të duhur të dialogut

- Advertisement -

Zhvillimet e fundit në veri të vendit po shfaqin në thelb problemet e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, problemet e procesit të dialogut, përfshi ndërmjetësuesit dhe vet procesin e shtetndërtimit të Kosovës dhe politikëbërjen e saj, e cila shpesh në këto tema të vështira ka gjeneruar kauza politike të brendshme. Kështu është shprehur drejtori ekzekutiv i Grupit për Ballkan, Naim Rashiti në emisionin “RTK Prime”.

Ai ka thënë se ato si të tilla e kanë sjellë në ngërç të fuqishëm procesin e përmbylljes së dialogut dhe marrëdhënieve të Kosovës me faktorin ndërkombëtar, derisa ka thënë se marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër nuk i kanë obliguar palët, pasi s’ka pasur as zotim e as nënshkrim të tyre.

“Këtu nuk janë në tërësi fajet e Kosovës, por janë një grumbull çështjesh të komplikuara shumë ma thellë se ajo që dëgjojmë këto ditë edhe nga diskursi i ndërmjetësuesve apo i qeverisë. Kjo çka ndodhë në veri në këtë kohë është rezultat i formës së bërjes së marrëveshjeve në Bruksel dhe Ohër, e cila në thelb nuk ka përcaktuar një dinamikë të implementimit. BE-ja nuk ka arritur të marrë nënshkrimin e palëve. Është një marrëveshje pa nënshkrim e pa zotim, e padefinuar, thjesht s’ka obligime për palët. Dhe ky është defekti kryesor dhe e ka lënë çdo gjë të hapur. Ai formati i procesit të marrëveshjes përmbyllëse ka tingëlluar më shumë si marrëveshje për diskursin ose si fitore e vogël për ndërmjetësuesit”, ka theksuar Rashiti, transmeton RTKlive.

Ai ka thënë se zhvillimet e fundit në vend mund të shihen si një momentum shumë i mirë për të pasur një dialog me aleatët dhe për ta nxjerrë situatën në një stad të ri, duke ndërtuar një numër veprimesh se si do të arrihet te zgjedhjet lokale sepse zgjedhjet e mbajtura në prill sipas tij nuk kishin legjitimitet.

“Nuk mund të kesh zgjedhje kur ke bojkot absolut të zgjedhjeve. Por, situata e re i mundëson Kosovës t’i zhvillojë disa hapa konkret politikë që ta vë veriun në kontroll mjaftueshëm politikë e juridik. Dhe këta hapa duhet të koordinohen me aleatët për shumë arsye; për faktin se faktori ndërkombëtar është pjesë e shtetndërtimit të Kosovës, për faktin se ka trupa të veta, djem dhe vajza në veri dhe nuk duan të dërgojnë  lajme të këqija apo viktima në vendet e tyre, për faktin që ata investojnë shumë në këtë vend dhe për faktin se trazirat e mundshme e destabilizojnë tërë rajonin”, ka shtuar Rashiti.

Në këtë kontekst, sipas tij, ky momentum mund të shfrytëzohet që të kemi vendosjen e rendit ligjor në aspekt të funksionimit të komunave në veri.

“Besoj se ka vetëm një mospajtim që të fillohet sa më parë me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Tërë pjesa tjetër e kushteve më shumë është mungesë e dialogut ndërmjet faktorëve ndërkombëtar dhe qeverisë sesa keqkuptime. Ka më shumë nevojë për dialog të vërtetë, për koordinim të veprimeve të cilat do të çonin në zgjedhje të reja në veri, gjë e cila do të çonte në eliminim të strukturave komunale paralele atje, do të vendoste rendin për pushtetin lokal dhe natyrisht do të fillonte në formimin e Asociacionit. Qeveria në këtë rast do të duhej të thotë se deri në shtator apo dhjetor do të bëjmë Asociacionin bashkë me serbët e Kosovës, QUINT-in dhe faktorin ndërkombëtar në Prishtinë, që në fund do të mbahen zgjedhjet por i tërë rendi publik i sigurisë është dhe do të mbetet kompetencë e institucioneve të Kosovës”, ka nënvizuar Rashiti.

 

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit