Home Lajme Rashiti: Diçka shkoi mbrapsht, ka ndryshim radikal të qëndrimeve të SHBA-së në raport me Kosovën dhe Serbinë

Rashiti: Diçka shkoi mbrapsht, ka ndryshim radikal të qëndrimeve të SHBA-së në raport me Kosovën dhe Serbinë

0
Rashiti: Diçka shkoi mbrapsht, ka ndryshim radikal të qëndrimeve të SHBA-së në raport me Kosovën dhe Serbinë

Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, Naim Rashiti, ka vlerësuar se Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar qëndrimet e tyre në raport me rajonin.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai ka thënë se tani ka një ndryshim radikal të qëndrimeve gjeopolitike të SHBA-së në raport Kosovën dhe Serbinë.

Ai ka bërë me dije se kjo tregon se diçka ka shkuar keq.

“Dhe, diçka ka shkuar mbrapsht, diçka ka shkuar keq, me çfarë prapavije nuk e di, por ka ndryshim radikal të qëndrimeve gjeopolitike të SHBA-së në raport me rajonin, me Kosovën dhe Serbinë. Kjo situatë, në parim duket e frikshme. Konsekuencat, rezultatet, mbetet t’i shohim në ditët në vijim. Diçka po ndodh, por në parim duket e frikshme”, ka thënë ai.

Ai nuk ka mundur të shpjegon se çka ka ndikuar për të ndodhur ky ndryshim i politikes amerikane në raport me rajonin.

“Pa hyrë në detaje, Serbia është bërë e përdorshme për SHBA-në dhe po i kryen disa punë strategjike për SHBA-në dhe disa vende të Perëndimit. Natyrisht, këto shërbime Kosova nuk ka mundur t’i kryejë, por kjo ka sjellë një ndryshim radikal të qëndrimeve dhe një zbutje të qëndrimit të Perëndimit ndaj Serbisë dhe është diçka normale, reale në politikën ndërkombëtare, për të cilën Kosova ka pritur që do të jetë një situatë krejt ndryshe. Edhe kjo Qeveri, edhe shumë në Kosovë kanë pritur që pas fillimit të luftës në Ukrainë, presioni do të bjerë mbi Serbinë”, është shprehur Rashiti.

Exit mobile version