Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë se nuk duhet që Lista Serbe të shpallet organizatë terroriste. Rashiq thotë se Lista Serbe duhet të denohet me votë dhe ka shtuar se kjo parti politike ka përgjegjësi për sulmin terrorist të 24 shtatorit.
Rashiq ka thënë për Telegrafin se mendon se Lista serbe duhet larguar nga skena politike përmes votës së lirë të qytetarëve.
“Edhe pse nuk jam jurist dhe nuk mund të flasë në emër të organeve kompetente, unë nuk jam për përjashtimin e Listës Serbe sepse konsideroj se ajo duhet të rrëzohet në aspektin politik, ashtu siç e meritojnë”, ka deklaruar Rashiq.
“Dëshira ime është që vet populli serb në veçanti të kuptojnë se kush janë njerëzit e Listës Serbe, dhe t’i dënojnë ata me vota, ti dënojnë me përjashtim nga jeta politike ashtu siç e bën populli gjithmonë”, tha ai.
Ministri thotë se Lista serbe nuk mund t’i ik përgjegjësisë për sulmin e 24 shtatorit.
“Pavarësisht se tash nga Lista Serbe mund të dorëhiqet ndonjë person, në momentin kur ka ndodhur ngjarja ata kanë qenë pjesëmarrës e madje udhëheqës të partisë. Unë jam për të marrë përgjegjësi por nuk jam për të shpallur atë me ndonjë statut tjetër”, ka deklaruar ndër të tjera Nenad Rashiq.