Pavarësisht 10 golave dhe 13 asistimeve të realizuara në sezonin e tij të parë me fanellën e Barcelonës, ku është i huazuar nga Manchester United, këto statistika duket se nuk mjaftojnë për të bindur Hansi Flick për të ardhmen e Marcus Rashford.
Sipas raportimeve, trajneri gjerman po mendon për një alternativë tjetër në krahun e majtë të sulmit. Emri që ka fituar terren është ai i Malick Fofana, 20-vjeçari belg që po shkëlqen te Lyon dhe ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha evropiane.
“Fichajes” raporton se Barcelona është e gatshme të paguajë deri në 60 milionë euro për talentin belg, i cili pritet të jetë një nga protagonistët e merkatos së ardhshme. Një lëvizje e tillë do të nënkuptonte se Rashford nuk do të kishte më vend në planet afatgjata të katalanasve, duke bërë që klubi të mos ushtrojë të drejtën e blerjes prej 30 milionë eurosh në fund të sezonit.
Megjithatë, nuk përjashtohet as një skenar tjetër, ndonëse me më pak gjasa: Barcelona mund ta blejë Rashford dhe më pas ta shesë atë gjatë merkatos së verës, nëse vjen një ofertë e favorshme.






