Kandidati favorit për ta fituar nominimin e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, Donald Trump, raportohet se po mundohet t’i bindë aleatët e rivalëve brenda partisë, Nikki Haley e Ron DeSantis, se gara brenda republikanëve për të nominuarin e partisë ka marrë fund, sipas një raportimi nga “Vanity Fair”.
Përderisa Trumpi vazhdon të ballafaqohet me shtim të telasheve ligjore, ish-presidenti raportohet t’u ketë bërë presion Haley-t e DeSantis-it që të tërhiqen nga gara, shkruan gazeta “The Guardian”.
Sipas disa burimeve që folën me mediumin, Trumpi i ka bërë thirrje senatorit të Karolinës, Tim Scott, në përpjekje për ta siguruar përkrahjen e tij për zgjedhjet paraprake në shtetin e tij.
Ndërkohë, sipas një ankete të gjerë nga Universiteti i Suffolk-ut, “Boston Globe” dhe NBC, Trumpi gëzon epërsi prej 16 për qind në New Hampshire para zgjedhjeve në këtë shtet të martën e ardhshme.
Trumpi pritet të mbajë tubim fushate atje të premten. Në rrjetin “Truth Social”, ai shkroi: “Turma TË MËDHA sonte dhe të shtunën!”