Home Lajme Raportohet se serbët kanë bllokuar kamionët nga Kosova, nuk i lejojnë të kalojnë nga Jarinja në Serbi

Raportohet se serbët kanë bllokuar kamionët nga Kosova, nuk i lejojnë të kalojnë nga Jarinja në Serbi

0
Raportohet se serbët kanë bllokuar kamionët nga Kosova, nuk i lejojnë të kalojnë nga Jarinja në Serbi

Sipas raportimit të Telegrafit, disa vozitës serbë të kamionëve, rreth orës 19:00, kanë bllokuar rrugën magjistrale në pjesën e Serbisë, në shenjë proteste dhe të pakënaqësisë me zhvillimet e fundit në mes Kosovës dhe Serbisë.

Tutje, Telegrafi shkruan se bllokuesit serbë nuk po lejojnë lëvizjen e kamionëve me targa të Kosovës në drejtim për në Serbi.

Gazeta Nacionale nuk ka arritur ende të konfirmojë këto raportime të Telegrafit. Nacionale ka kontaktuar me Policinë e Kosovës, por ende nuk ka një përgjigje zyrtare për këto raportime.

Ndërsa, kompania “Zhitia Turist”, e cila po udhëtonte për në Serbi, ka ndryshuar vendkalimin kufitar. Nga Merdarja, katër autobusët e saj kanë udhëtuar drejt pikë-kalimit kafitar “Dheu i Bardhë”. Në një bisedë për Nacionalen, kjo kompani tha se aryseja pse e ndryshuan kalimin e kufirit ishte për shkak të “rrugës së prishur”.

“Informacioni i saktë është se ne e kemi bë nisjen prej Prishtinës në ora 5, kanë qenë dy autobusa, kanë shku deri në Merdarë, tash janë kthy, janë duke kalu kah Dheu i Bardhë. Nuk ka diçka për t’u shqetësuar për udhëtarët, ata janë mirë të gjithë. Vetëm se janë kthy nga Merdarja. Sepse na është thënë se është rruga e prisht, dhe se duhet të presim 4 orë. Ne kemi vendosë me u kthy kah Dheu i Bardhë, që mos me i humb 4 orë” – tha një përgjegjëse nga kompania “Zhitia Turist”.

Ndryshe, situata në veri të Kosovës vazhdon të mbetet e tensionuar, posaçërisht pas rrëmbimit të tre policëve kosovarë nga Serbia. Për më shumë, të premten e kaluar, ka pasur disa sulme ndaj gazetarëve kosovarë të cilët po raportinin në veri të Kosovës. Sot për të tretën herë me radhë, pjesëtarë të komunitetit serb kanë protestuar, përmes një marsh nga qendra e Mitrovicës së Veriut deri në Zveçan, si shenjë mbështetjeje ndaj serbëve të arrestuar ditëve të fundit nga autoritetet e Kosovës.

Siç raportoi Radio Evropa e Lirë, tubimi është organizuar nga një shoqatë që mbledh sportistë në veri dhe pjesë e këtij marshi kanë qenë edhe mjekët dhe stafi mjekësor i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicës së Veriut.

Ndërsa ndërkombëtarë kanë vazhduar të insistojnë në nevojën për shtensionim të situatës në veri. Bashkimi Evropian, që është lehtësues i dialogut, është duke tentuar të organizojë një takim të nivelit të lartë në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Tentimi i BE-së për një takim mes Kurtit dhe Vuçiqit

Një takim i paralajmëruar në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk dihet se kur do të mbahet. Dy liderët ballkanas, janë treguar ngurrues në lidhje për një takim në Bruksel, të cilën BE-ja e cilësoi si takim të menaxhimit të krizës. Sot, BE-ja ka folur sërish për takimin e paralajmëruar, veriun, marrëdhënien mes Kosovës e Serbisë.

Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian, ka përcjellur disa qëndrime dhe pritshmëri të Josep Borrellit, Përfaqësues i Lartë i BE-së. Sipas tij, Borrell pret që kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të vijnë në Bruksel për një takim krize. Tutje, BE-ja ka pasur edhe disa sqarime interesante në lidhje me takimin Kurti-Vuçiq, që ende s’dihet se kur do të mbahet.

“Vërtetë Përfaqësuesi i Lartë, Borrell e ka ftuar kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq të vijnë në Bruksel në një takim krize, për të gjetur një mënyrë për të dalë nga përshkallëzimi e për t’u kthyer te zbatimi i marrëveshjeve të dialogut. Data e takimit nuk është vendosur ende, pasi palët se kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Përfaqësuesi i Lartë dhe shtetet anëtare presin qasje të arsyeshme nga partnerët që aspirojnë t’i bashkohen Bashkimit Evropian. Të dy janë të ftuar dhe presim të vinë pa parakushte. Gjetja e një zgjidhje është interes i njerëzve në Kosovë e Serbi.” – deklaroi Stano.

Ndërsa deklaratat e Kurtit dhe Vuçiqit në lidhje me një takim të mundshëm në Bruksel, Stano i ka cilësuar si “deklarata publike jokonstruktive”.

“Ne nuk kemi qenë në gjendje të caktojmë një datë sepse nuk kemi përgjigje përveç që kemi dëgjuar disa deklarata publike jonkonstruktive. Ne presim që ata të vinë dhe të gjejmë rrugë për të dalë nga kriza. Ne jemi të gatshëm të lehtësojmë bisedimet dhe t’i këshillojmë por në fund të fundit është në dorën e tyre të bëjnë diçka për shtensionim sepse është për të mirën e popujve të tyre.” – deklaroi ai.

Exit mobile version