Sipas raportimit të tyre, protesta e Listës Serbe po bëhet për të kundërshtuar përsëri zgjedhjen e kryetarëve të rinj në komunat veriore. Kjo parti nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet lokale.
“Siç thotë burimi, në protestë pritet të marrin pjesë strukturat paralele, e serbë tjerë që marrin ende për çdo muaj paga nga shteti serb.” – raporton Kanal10.
Nacionale nuk ka arritur ta konfirmojë në mënyrë të pavarur këtë informacion.
Protesta e mundshme e Listës Serbe vjen pak ditë pas tensioneve të fundit që ndodhën në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Dalja në punë e kryetarëve të rinj të komunave veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, nxiti tensione të reja.
Tentimi i kryetarëve të rinj të Zveçanit dhe Zubin Potokut për të hyrë në objektet e komunave, nxiti serbët lokalë, të cilët lëshuan alarmet dhe u grumbulluan për t`i bllokuar hyrjet e objekteve të komunave.
Kjo ka nxitur tensionimin e situatës, e cila ka çuar edhe në intervenimin e Policisë së Kosovës.
Lista Serbe për këto zhvillime reagoi dhe kërkoi nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq që “t’i suspendojë bisedimet” deri kur kryetarët në veri të tërhiqen nga atje, e po ashtu, edhe Njësia Speciale e Kosovës.
kryetari i kësaj partie, Goran Rakiq ka deklaruar se “populli serb është i shqetësuar” për shkak të siç pretendoi ai, “terrorit të Kurtit ndaj popullit të pafajshëm…”.
“Me të gjitha këto në mendje, ne përfaqësuesit politikë të popullit serb nga Kosova, kemi kërkuar nga presidenti Vuçiq dhe i gjithë lidershipi i vendit që t’i suspendojnë menjëherë pjesëmarrjet e mëtejme në dialogun e Beogradit me Prishtinën.” – ka thënë ai.
Ndërkohë, sot është raportuar situatë e qetë në komunat në veri të vendit, teksa Policia e Kosovës po vazhdon të ruaj objektet komunale të këtyre komunave.
Situatë e tensionuar
E premtja e 26 majit e gjeti veriun e Kosovës në një tjetër përleshje midis Policisë së Kosovës dhe serbëve lokalë pas përpjekjve të kryetarëve të rinj të komunave veriore për t’u vendosur në zyret e tyre. Situata e krijuar atje dhe kërcënimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të dërguar ushtrinë rriti shqetësimet e aleatëve të Kosovës, në vazhdën e frikës nga një përshkallëzim i situatës që mund të shkaktojë akte të mëtejshme të dhunshme dhe paqëndrueshmëri.
I pari për të reaguar nga ndërkombëtarët ishte ambasadori i shtetit aleat më të rëndësishëm të shtetit të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili në një gjuhë të padëgjuar më parë ndaj veprimeve të shtetit kosovar, i quajti “masa të dhunshme”.
Reagimi i fortë erdhi nga shumë shpejtë edhe nga Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken i cili dënoi ashpër veprimet e qeverisë së Kosovës duke i bërë madje thirrje direkte kryeministrit Kurti t’i ndalojë menjëherë “masat e dhunshme”.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë brenda ndërtesave komunale në veri, veprime që i morri përkundër këshillave të ShBA’së dhe partnerëve evropianë. Këto veprime ashpërsisht dhe panevojë kanë përshkallëzuar tensionet, duke minuar (gërryer prej së poshtmi) përpjekjet tona për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja në marrëdhëniet tona bilaterale me Kosovën”, shkroi Anthony Blinken.
“I bëjmë thirrje Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të ndërrojë kurs dhe të gjitha palëve të pëmbahen nga veprimet e mëtejme që do të ndiznin tesnione dhe të promovonin konflikt”, përfundonte komunikata.
Ndonëse në reagimin e Sekretarit të Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken u tha se veprimet e djeshme ishin “në kundërshtim me këshillat e SHBA-së dhe partnerëve evropianë”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duket se nuk është shumë i shqetësuar për këtë situatë, duke shprehur madje bindjen e tij se Kosova vazhdon të gëzojë mbështetjen e vendosur të Perëndimit.
Përkundër faktit se reagimet e djeshme të aleatëve të Kosovës për situatën në veri zbuluan mungesën e koordinimit, duke komentuar këtë, Kurti në një prononcim të fundit për RTV Dukagjinin, shpreh besimin se qeveria e Kosovës gëzon mbështetjen e të gjithë faktorëve ndërkombëtarë.
“E kemi mbështetjen e ndërkombetarëve dhe mirë po shkon puna”, – tha Kurti.