Sulme ajrore izraelite kanë goditur kryeqytetin jemenas, Sana të dielën, më 24 gusht, raportuan mediat lokale.
Këto sulme vijnë vetëm disa ditë pasi rebelët jemenas, të mbështetur nga Irani, gjuajtën municione thërrmuese drejt Izraelit.
Televizioni Al-Masirah, që udhëhiqet nga rebelët Huthi, raportoi për sulmet. Këto janë sulmet e para në Sana, që kontrollohet nga rebelët, që nga 17 gushti, kur Izraeli shënjestroi infrastrukturën energjetike që besohej se përdorej nga rebelët.
Izraeli ende nuk ka konfirmuar sulmet e së dielës.
Rebelët Huthi kanë lëshuar raketa e dronë drejt Izraelit dhe kanë shënjestruar anije në Detin e Kuq për më shumë se 22 muaj. Ata thonë se sulmet kryhen në shenjë solidariteti me palestinezët, që po përballen me luftë në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023.
Këto raketa dhe dronë të lëshuar nga rebelët zakonisht rrëzohen para se të arrijnë në Izrael.
Një zyrtar i Forcave Ajrore të Izraelit, duke folur në kushte anonimiteti, tha se predha e lëshuar nga Jemeni drejt Izraelit të premten mbrëma paraqiti një kërcënim të ri. Raketa ishte e mbushur me municion thërrmues.
Kjo ishte hera e parë që rebelët Huthi, lëshuan predha të tilla drejt Izraelit, që kur grupi militant filloi të gjuante raketa drejt Izraelit në vitin 2023, tha zyrtari. Përdorimi i municioneve thërrmuese e bën të vështirë që Izraeli t’i rrëzojë ato dhe po ashtu është tregues, sipas zyrtarit, se rebelët Huthi kanë siguruar teknologji shtesë nga Irani.