Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në fjalimin e tij në mbledhjen e Këshillit të Qendrës së Prishtinës, ua hodhi fajin opozitës për moskonstituimin e Kuvendit, anipse kandidatën e njëjtë e paraqitën për kryetare të Kuvendit rreth 54 herë.
Ai për opozitën tha “as nuk po shtyhen, as nuk po ngrehen”.
Gjithashtu, Kurti që nuk e ka folur asnjë fjalë për raportimet mbi përfitimin e familjarëve të deputetes së VV-së Fitore Pacolli e as të tjerëve, nga paratë e shtetit, sulmoi opozitën duke thënë se qeverisja e tij ua ka ndaluar “përfitimet e paligjshme”.
“Nuk e kanë problemin me Albulenen, e kanë problemin me popullin që nuk ua dha besimin dhe e kanë problemin me Vetëvendosjen me qeverisjen tonë, që përfundimisht ua ka ndalur përfitimet e paligjshme e pasurimin privat e zhvatjen në dëm të interesit publik e kështu me radhë. Katër vite për ta kanë qenë shumë, por edhe më e rëndë po bëhet kur po e mendojnë që kjo do të zgjasë shumë më shumë. Në këtë siklet nuk u ndihmojmë ne dot ata, sepse jemi zotuar se ajo politikë ka marrë fund dhe nuk kthehet më. Ashtu siç jemi zotuar dhe siç kemi marrë mbështetjen do të qeverisim…..”, tha Kurti.
“Kosovën do ta bëjhmë shtet europian e jo shtet të klaneve të interesit”, u shpreh ai.