Gjatë dhjetë viteve të fundit, më shumë se 1000 njerëz vdiqën pasi policia përdori ndaj tyre mjete që nuk synonin të ishin vdekjeprurëse, sipas një hetimi të agjencisë së lajmeve Associated Press.
Në qindra raste, policia nuk zbatoi praktikat më të mira të përdorimit të forcës dhe armëve, ose nuk ishin të trajnuar siç duhet për këto raste, çka rezultoi në vdekje.
Dr. Roger Mitchell me Universitetin Howard është një ndër mbështetësit e përpjekjeve për të përmirësuar statistikat e rasteve të individëve që vdesin në duart e policisë. Ai thekson nevojën e ngutshme për reforma kuptimplota dhe mbajtjen përgjegjës të policëve që tejkalojnë kompetencat.
“Çdo herë që dikush vdes para se të dalë në gjyq, ose vdes në një mjedis që i përket qeverisë federale ose asaj lokale, ku autoritetet duhet të kujdesen për individët, shtrohet nevoja për transparencë”.
Hetimi tre-vjeçar i agjencisë së lajmeve Associated Press u realizua në bashkëpunim me Qendrën Howard për programet e Gazetarisë Hulumtuese në Universitetin e Merilendit, Universitetin Shtetëror të Arizonës, dhe programin FRONTLINE të kanalit televiziv publik PBS.
Hetimi u përqendrua tek organet lokale të rendit që patrullojnë rrugët ose u përgjigjen thirrjeve për urgjenca. Gazetarët paraqitën rreth 7000 kërkesa për dokumente qeveritare dhe pamje nga kamerat trupore të policisë, duke siguruar më shumë se 700 raporte autopsie ose certifikata vdekjeje.
Në dokumentet e zyrtarëve të mjekësisë thuhet se punonjësit e zbatimit të ligjit ishin shkaktarë ose kontribuues për rreth gjysmën e vdekjeve. Në shumë raporte të tjera nuk flitet për forcën e tepruar të policisë dhe për vdekjet fajësohet droga ose gjendja shëndetësore e individëve.
“Shumë njerëz shtrojnë pyetjen se pse nuk e arrestojnë individin? Por në shumë raste kjo nuk varet nga policët por nga individi i ndaluar. Në disa raste ka individë që nuk janë në gjendje të mirë mendore ose të ndikuar nga faktorë të tjerë. Ata nuk e dinë se çfarë bëjnë. Mendoj se duhet t’i ngadalësojmë veprimet”, thotë John Peters me Institutin për Parandalimin e Vdekjeve në Paraburgim.
Qeveria federale nuk ka qenë në gjendje që të hartojë statistika për vdekjet dhe të dhënat e pakta që mbledh, në shumë raste të paplota, shpesh mbahen larg syve të publikut.
Jo më shumë se një e treta e rasteve të identifikuara nga AP janë të përfshira në statistikat federale të vdekjeve që kanë lidhje me organet e rendit. Hetimi i gazetarëve gjeti se në rastet e përdorimit të forcës, ajo ishte e papritur dhe ekstreme. Në raste të tjera, forca ishte minimale, megjithatë rezultoi në vdekje, në disa raste nga mbidoza e drogës ose një kombinim faktorësh.
Në rastin e ish marinsit Taylor Ware, nëna e tij thirri policinë pasi djali i saj nuk pranoi të hipte në makinë ndërsa kaloi një episod euforik të shkaktuar nga një çrregullim bipolar. Pasi zoti Ware u largua me vrap nga policët, ai u sulmua nga një qen policie dhe u godit me armë që krijon shok elektrik. Më pas atë e rrëzuan përtokë dhe e injektuan me një ilaç qetësues. Ai vdiq tre ditë më vonë.
Por në njoftimin e saj policia tha se zoti Ware kishte kaluar një “episod mjekësor”. Prokurori në shtetin Indiana nuk pranoi të ngrinte akuza ndaj policëve të përfshirë dhe i vlerësoi ata për “durimin dhe përmbajtjen e jashtëzakonshme”.
Zyra e prokurorisë la jashtë detajet kryesore, si kafshimet e shumta të qenit, goditet e shumta me armën që krijon shokun elektrik dhe injektimin me qetësuesin e fortë me ketaminë.
“Projekti synon të gjejë të gjitha rastet në vend kur dikush ka vdekur pas një përplasjeje me policinë”, thotë Justin Pritchard me agjencinë e lajmeve Associated Press.
Numri i vdekjeve tregon se shumica e tyre janë afrikano-amerikanë, megjithëse ata përbëjnë 12% të popullsisë së Shteteve të Bashkuara. Sipas të dhënave, 27 vjeçari afrikano-amerikan Jameek Lowery, nga qyteti Paterson në Nju Xhersi, vdiq dy ditë pasi u ndalua dhe u godit vazhdimisht me grushte nga policia. Lowery ishte në mesin e më shumë se 330 njerëzve me ngjyrë me prejardhje johispanike që vdiqën pasi u ndaluan, u rrahën ose goditën me armë shokuese nga punonjësit e rendit.
“Punonjësit e policisë në disa raste përballen me situata që asnjëri prej nesh nuk mund t’i kuptojë apo madje t’i pranojë ato. Sepse një njeriu të zakonshëm nuk i është dashur kurrë që të përballet me gjëra të tilla”, thotë Tyler Owen me sindikatën e policisë së Teksasit.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë rregulla kombëtare lidhur me mënyrën e përdorimin e forcës dhe në çfarë mase duhet përdorur ajo. /VOA/