9.9 C
New York
Friday, October 18, 2024

Buy now

Raporti i KE-së për Kosovën kërkon zbatimin e marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

- Advertisement -

Bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe thirrjet për zbatimin e marrëveshjeve që çojnë drejt këtij normalizimi, janë në qendër të raportit vjetor të Komisionit Evropian për Kosovën, të në cilin theksohet se vendi ka bërë përparime të kufizuara në fushat që lidhen me procesin e përparimit drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Në raport shprehet keqardhje që Kosova dhe Serbisë nuk kanë filluar ende të zbatojnë detyrimet që dalin nga Marrëveshja e arritur në Bruksel me 27 shkurt dhe në Ohër me 18 mars, për rrugën drejt normalizimit.

“Në përgjithësi, Kosova ka mbetur e angazhuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por duhet të demonstrojë përkushtim më serioz, të investojë më shumë përpjekje dhe të bëjë kompromise për të çuar përpara këtë proces. Kosova duhet t’u përmbahet zotimeve të saj dhe të angazhohet për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të kaluara” dhe marrëveshjes së këtij viti, thuhet mes tjerash në raport, në të cilin theksohet detyrimi i saj për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Nga Kosova pritet ta nisë procesin i cili çon në themelimin e Asociacionit, bazuar në propozimin evropian të 21 tetorit dhe nga Serbia kërkohet ta mbështesë këtë proces dhe njëkohësisht të fillojë përmbushjen e detyrimeve të saj nga marrëveshja. Formalitetet, përfshirë edhe ato që lidhen me miratimin, nuk duhet të jenë pengesa në rrugën e zbatimit”, thuhet në raport.

Duke theksuar pritjet që Kosova dhe Serbia të angazhohen për të bërë përparim të shpejtë dhe konkret, raporti nënvizon se “normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit”.
Më tej thuhet se situata në veri të Kosovës është ndikuar nga disa kriza me intensitet të ndryshëm për një sërë çështjesh, me një sulm të dhunshëm kundër policisë së Kosovës më 24 shtator 2023, “që përbën përshkallëzimin më të rëndë të viteve të fundit”.

Bashkimi Evropian pret që autorët të kapen dhe të vihen shpejt para drejtësisë dhe Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në këtë drejtim”.

Në raport përshkruhen zhvillimet e vitit 2022 në veri të Kosovës veçanërisht rreth targave të makinave, pas vendimit të qeverisë së Kosovës më 29 qershor të viti 2022 për të ri regjistrimin e të gjitha makinave që kanë targa të vjetra të lëshuara nga Serbia si dhe zhvillimet që pasuan atë vendim e që çuan në bllokim rrugësh e largim të serbëve nga institucionet e Kosovës.

Raporti vlerëson se zgjedhjet lokale në veri të Kosovës që u mbajtën me 23 prill ishin në përputhje me kuadrin ligjor të Kosovës, por bojkotimi i tyre nga partitë serb, dëshmoi se ato nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë.

“Mbetet e domosdoshme që të rivendoset një situatë ku serbët e Kosovës marrin pjesë aktivisht në qeverisjen lokale, policinë dhe gjyqësorin në veri të Kosovës. Zgjedhjet e parakohshme lokale duhet të mbahen sa më shpejt në të katër komunat, të jenë gjithëpërfshirëse dhe me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”, thuhet në raport.

Aty theksohet se masat ndëshkuese që u vendosën ndaj Kosovës pë shkak të tensioneve në veri, “janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme, në varësi të hapave të ndërmarra për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Kosova ka ndërmarrë hapa në drejtimin e duhur, por mbetet ende për të bërë”./VOA

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit