Raporti thotë se 46 për qind të të rinjve kosovarë nuk janë fare të interesuar për politikën, 37 për qind nuk dinë “asgjë fare” për politikën dhe vetëm 14 për qind prej tyre do të merrnin pozitë politike.
Veç kësaj, vetëm dy për qind të të anketuarve besojnë që interesat e të rinjve përfaqësohen“mirë” në politikën kombëtare.
Besimi i ulët në Qeveri e Parlament
Raporti thekson se rinia kosovare ka besim politik më të ulët në Qeverinë e Kosovës dhe Kuvendin e Kosovës, në krahasim me institucionet e sigurisë apo ato ndërkombëtare.
Këta numra të lartë të mosinteresimit për politikë mund të shpjegohen nga përshtypja e përgjithshme.
“Në përgjithësi, besimi politik në institucionet e brendshme shfaqet në nivele mjaft të ulëta, gjë që përbën shqetësim për vitalitetin e demokracisë në vend. Për shembull, besimi politik në institucionet si qeveria dhe parlamenti është më i ulët në krahasim me institucionet e sigurisë, si ushtria dhe policia, si dhe në krahasim me institucionet ndërkombëtare, si BE dhe NATO. Besimi i rinisë në organet ndërkombëtare, për rrjedhojë, mbetet i lartë edhe ndër brezat më të rinj të kategorive të moshës 14–18 dhe 19–24 vjeç, që kanë kaluar shumicën ose të gjithë jetën e tyre, pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008. Një shpjegim i mundshëm për këtë është se, edhe pse qeverisja ndërkombëtare në Kosovë ka përfunduar, roli i partnerëve të jashtëm në fusha të ndryshme vazhdon të mbetet i lartë deri në ditët e sotme.” – thuhet aty, transmeton Nacionale.
FES në raport shkruan se nuk është përspektivë pozitive që rinia i beson më shumë Bashkimit Evropian, se sa Qeverisë së saj, ku dalin në pah dy pika:
“Së pari, thekson mbështetjen e madhe dhe aspiratat e forta të brezave të rinj të Kosovës për t’u bërë pjesë e ‹familjes evropiane›, duke reflektuar kështu një dëshirë për t’u rreshtuar përkrah standardeve dhe vlerave më të gjera evropiane. Nëse i marrim këto rezultate si të mirëqena, do të thotë që nuk ka arsye për shqetësim për krizë legjitimiteti të BE-së në sytë e të rinjve kosovarë. Për më tepër, mbështetja për BE-në në Kosovë ndër të rinjtë duket e fortë, megjithëse Qeveria e Kosovës ka kaluar nëpër një sërë takimesh publike me ndërmjetës të BE-së që janë përgjegjës për dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Kjo perspektivë tutje ndërlikohet me faktin që Kosova është vendosur nën të ashtuquajturat «masa të përkohshme dhe të kthyeshme» të BE-së për herë të parë në qershor 2023, si pasojë e mospajtimeve për zgjidhjet në procesin e dialogut me qeverinë në pushtet”.
Këto rezultate, siç thuhet në raport, janë të rëndësishme për Qeverinë e Kosovës, e cila duhet ta ketë prioritet rritjen e besimit jo vetëm brenda saj, por edhe institucioneve të tjera politike.
Para pak ditësh ky raport iu prezantua në një organizim ku i pranishëm ishte edhe kryeminstri Albin Kurti.
“Te punësimi, rreth 41 për qind e tyre theksojnë që nuk janë duke punuar dhe nuk janë duke kërkuar punë për momentin. 15 për qind e tyre nuk janë të punësuar por janë duke kërkuar punë… Te pjesa e migrimit, në vlera akumuluese janë rreth 30 për qind e të rinjve të cilët kanë synim ose pretendojnë për të migruar.” – kishte thënë Egzon Osmanaj, menaxher i projekteve në FES.
Ndërkohë, kryeministri Kurti nga atje mes tjerash kishte folur edhe për ikjen e të rinjve, ku kishte thënë se po punohet që ata që shkuan, të kthehen, dhe “ata që planifikojnë, të mos kenë nevojë të shkojnë”.
“Ndër lajmet më pozitive të viteve të fundit, pa dyshim se ka qenë liberalizimi i vizave për zonën Schengen. Përfitimet e së cilës janë të pamatshme, konsiderojmë që mobiliteti i të rinjve nëEvropë është jashtëzakonisht i rëndësishëm për formësimin e tyre personal e për ngritjen profesionale. Andaj edhe financojmë mijëra bursa e grante për të studiuar jashtë vendit osep ër të na përfaqësuar në ngjarje, gara, me qëllim që të kthehen dhe të japin kontribut edhe më të madh në Kosovë.
Pra, jemi të vendosur që të punojmë që të kthehen ata që shkuan, të mos kenë nevojë të shkojnë ata që planifikojnë diçka të tillë, por mbi të gjitha që këtë ta bëjmë jo me fjalët që i themi por me rezultatet që i kemi.” – u shpreh ai.