12.2 C
New York
Sunday, November 24, 2024

Buy now

Raporti i DASh-it e përmend për keq Rozeta Hajdarin që u dënua për mos-deklarim të pasurisë

- Advertisement -

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën – i publikuar të hënën e 22 prillit e ku thuhet se në Kosovë ka “probleme serioze me pavarësinë e gjyqësorit”, pastaj “kufizime serioze për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve” dhe gjithashtu “korrupsion serioz qeveritar – në fushën të titulluar “Korrupsioni në Qeveri” ka përmendur edhe vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinë, e cila shpalli fajtore ministren e Industrisë, Rozeta Hajdari, për mos-deklarim të pasurisë.

Raporti për Kosovën e DASH-it, përveç Hajdarit, në po të njëjtën fushë ka përmendur edhe shpalljen fajtore të zëvendësministres së Punëve të Jashtme, Liza Gashi, për mos-deklarim të pasurisë nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli fajtore ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari dhe zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Liza Gashi për mosdeklarim të pasurisë dhe i gjobiti respektivisht 700 euro (764 dollarë) dhe 500 euro (545 dollarë)”, thuhet në raport.

Ndër të tjera në aspektin e korrupsionit, raporti i DASH-it ka potencuar se Prokuroria Speciale dhe Njësia e Hetimeve Speciale të Policisë së Kosovë kanë hapur “hetime penale kundër të paktën pesë ministrave dhe dy zëvendësministrave me akuza për vepra të lidhura me korrupsion”.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,ka pranuar që raporti i DASH-it i vitit 2023 ka kritika për Qeverinë e Kosovës.

“Natyrisht që ka edhe kritika për ne, por nëse shikoni raportin e vitit 2019, sot Kosova ka progres të jashtëzakonshëm”, ka thënë shkurt ai në një intervistë për DW.

Megjithatë Kurti është shprehur i çuditur se si Departamenti Amerikan i Shtetit nuk ka cituar “Freedom House” e Transparency International” – dy organizata ndërkombëtare të cilat bëjnë matjen e nivelit të demokracisë e transparencën e institucioneve, transmeton albanianpost.

“Po të citoheshin, do të duhej të lëvdohej Kosova”, ka shtuar ai.

Ndryshe një ditë pas raportit të DASH-it për vitin 2023 për Kosovë edhe Organizata ndërkombëtare “Freedom House” me seli në Uashington ka publikuar raportin vjetor për vitin 2023 ku vlerësohet se Qeveria aktuale e Kosovës dukshëm nuk ka arritur të përmirësojë funksionimin e brendshëm të shtetit apo zbatimin efektiv të reformave, pavarësisht stabilitetit në qeverisje, meqë Lëvizja Vetëvendosje – partia në pushtet gëzon shumicën në Kuvend.

“Kjo është për shkak të tensioneve të vazhdueshme në komunat me shumicë serbe në Veri, dhe ngjarjeve në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) me Serbinë”, thuhet në raportin e “Freedom House” i titulluar “Nations in Transit 2024”.

Raporti i “Freedom House” ndër të tjera ka vlerësuar se korrupsioni në Kosovë “vazhdon të mbetet një çështje serioze shqetësuese në Kosovë”.

“Sipas Raportit të BE-së për vitin 2023, rezultatet e qeverisë në luftimin e korrupsionit janë të kufizuara”, thekson raporti.

Kosova, sipas raportit të Freedom House, nuk ka pasur një strategji formale kundër korrupsionit që nga viti 2018.

“Qeveria e Kosovës ka hartuar një strategji kundër korrupsionit që nga maji i vitit 2023, por procesi është ndërprerë për shkak të divergjencave të brendshme brenda grupit punues, gjë që rezultoi me deklarata publike në maj ku kryeministri Kurti akuzoi opozitën për bllokim të progresit”.

Kosova sërish është radhitur në grupin e regjimeve hibride, “demokraci tranzicionale”, në raportin e organizatës “Freedom House”.

Demokracia në Kosovë, sipas vlerësimeve dhe matjeve të kësaj organizate, nuk ka pësuar asnjë ndryshim.

Kosova si në vitin paraprak edhe gjatë këtij viti është vlerësuar me plotë 3.29 pikë, në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është shkalla më e ulët e demokracisë.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit