Sipas CNN, ndikimi i mediave sociale te shëndeti mendor dhe mirëqenia e të rinjve është bërë një temë shqetësuese për prindërit, edukatorët dhe profesionistët e shëndetit.
Gati gjysma e adoleshentëve amerikanë (48%) besojnë se mediat sociale kanë një efekt kryesisht negativ për bashkëmoshatarët e tyre, një rritje nga 32% në vitin 2022. Megjithatë, vetëm 14% e adoleshentëve besojnë se mediat sociale kanë ndikim negativ te vetë ata, edhe pse kjo shifër ka pësuar një rritje. Po ashtu, 45% e adoleshentëve thonë se kalojnë shumë kohë në mediat sociale, dhe 44% kanë reduktuar përdorimin e tyre.
Kjo është sipas një raporti të Qendrës për Kërkim Peë të botuar të martën, që pyeti adoleshentët dhe prindërit amerikanë për qëndrimet e tyre ndaj mediave sociale dhe telefonave të mençur. Ai ofron një pamje të përditësuar mbi se si adoleshentët e shohin përdorimin e tyre të mediave sociale, pas një studimi të veçantë nga Peë në dhjetor që zbuloi se pothuajse gjysma e adoleshentëve amerikanë thonë se janë gjithmonë online.
Raporti sugjeron se ndikimi i mediave sociale ndryshon sipas gjinisë dhe racës. Vajzat janë më të prirura se djemtë për të thënë se mediat sociale dëmtojnë shëndetin e tyre mendor, si dhe i bëjnë ato më të ndjeshme ndaj ngacmimit dhe më të prira të kenë probleme me imazhin e trupit. Këto zbulime janë në përputhje me studime të mëparshme që sugjerojnë se lidhja midis mediave sociale dhe depresionit është më e fortë te vajzat adoleshente.
Përkundër këtyre shqetësimeve, mediat sociale kanë aspekte pozitive. Pothuajse gjysma e adoleshentëve thonë se mediat sociale u ofrojnë mundësinë të shprehin kreativitetin e tyre dhe të qëndrojnë të lidhur me miqtë. Edhe pse adoleshentët janë të shqetësuar për ndikimin e mediave sociale, prindërit janë më të shqetësuar për efektet negative të këtyre platformave në shëndetin mendor të fëmijëve të tyre.
Në përgjithësi, ky raport nxjerr në pah shqetësimet e vazhdueshme mbi ndikimin e mediave sociale në mirëqenien e të rinjve dhe përpjekjet e prindërve dhe rregullatorëve për të mbrojtur adoleshentët.