Juristja për media, Flutura Kusari, ka publikuar raportin e Bashkimit Evropian (BE) për vitin 2025-të për Kosovën.

Kusari përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka treguar në detaje të gjeturat e këtij raporti për Lirinë e Medias në vend, raporton Periskopi.

Sipas raportit, janë raportuar 70 raste ku gazetarët kanë qenë cak i sulmeve fizike, verbale ose edhe kërcënimeve.

Në këtë raport është cekur se edhe fushata zgjedhore duke përfshi zyrën e kryeministrit kanë përdorur gjuhë ofenduese ndaj mediave.

“Gjatë periudhës së raportimit, u raportuan 70 raste të sulmeve fizike dhe verbale ose kërcënimeve ndaj gazetarëve, duke përfshirë pengimin e punës së gazetarëve dhe punonjësve të mediave, kërcënime dhe përdorimin e gjuhës fyese ndaj tyre. Gjatë së njëjtës periudhë, u regjistrua edhe një rast i padisë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP). Gjatë fushatës zgjedhore, zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë edhe Kryeministrin, përdorën gjuhë ofenduese ndaj mediave”, thuhet në raport.

Në raport është cekur edhe mjedisi legjislativ i Kosovës ku kërkohet të harmonizohet me acquis-in e ri të BE-së dhe standardet tjera ndërkombëtare në veçanti me Aktin Evropian për Lirinë e Medias.

“Legjislacioni i Kosovës që lidhet me mediat duhet të harmonizohet me acquis-in e ri të BE-së dhe me standardet e tjera ndërkombëtare përkatëse, në veçanti me Aktin Evropian për Lirinë e Medias dhe me Direktivën e BE-së kundër SLAPP (padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike). Miratimi i Ligjit për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) dhe Ligjit për mbrojtjen e burimeve gazetareske ende mbetet në pritje”.

“Ligji Civil Kundër Shpifjes edhe Fyerjes duhet të harmonizohet me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) u anulua nga Gjykata Kushtetuese, pasi dispozitat për emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së u konsideruan jokushtetuese, duke rrezikuar kështu pavarësinë e këtij institucioni. Është thelbësore që ligji të harmonizohet plotësisht me standardet ndërkombëtare dhe ato BE-së”.

Po ashtu thuhet se “Ndryshimi i Rregullorës së Punës së KPM-së ka vendosur kushte për zëvendësimin e Kryetarit para përfundimit të mandatit të tij. Gazetarët përballen rregullisht me vonesa ose pengesa kur kërkojnë qasje në dokumente publike. Mediat në gjuhën serbe hasin vështirësi në sigurimin e informacionit në gjuhën serbe, për shkak të moszbatimit të duhur të Ligjit për gjuhët”.

Tutje është cekuar edhe Funksionaliteti i Komisionit të Pavarur të Mediave ku sipas raportit është cilësuar si “vazhdon të jetë një shqetësim”.

Funksionaliteti i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) vazhdon të jetë një shqetësim. Në janar 2025, KPM-ja humbi kuorumin e nevojshëm dhe deri në maj, numri i anëtarëve ra vetëm në dy, duke penguar kështu aftësinë e saj për të marrë vendime, përfshirë edhe gjatë fushatës zgjedhore. Bordi i Ankesave i KPM-së është pa kuorum që nga nëntori 2023. Kjo situatë kërkon që Kuvendi i sapoformuar të adresojë këtë çështje”.

Po ashtu në raport është përmendur edhe Radio Televizioni I Kosovës (RTK).

“Nuk ka pasur përparim në gjetjen e një modeli të qëndrueshëm, afatgjatë dhe të pavarur të financimit për transmetuesin publik RTK, i cili vazhdon të përballet me kufizime të konsiderueshme buxhetore, pronësore dhe të burimeve njerëzore, përveç mosmarrëveshjeve të brendshme dhe paqëndrueshmërisë në udhëheqje. Pozita e Drejtorit të Përgjithshëm, e cila është e zbrazët që nga shtatori 2024, ende nuk është plotësuar, ndërsa Bordi i RTK-së ka mungesë kuorumi që nga dhjetori 2024, gjë që e pengon të mbajë mbledhje ose të marrë vendime. Që nga ajo kohë, transmetuesi publik ka mbetur jofunksional dhe i paaftë të përmbushë rolin e tij në mënyrë efektive”, thuhet në raport.

“Në janar 2025, bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet e Kosovës morën një letër nga Drejtori i RTK 2, i cili ngriti shqetësime lidhur me përkeqësimin e gjendjes së kanalit televiziv, kryesisht për shkak të mungesës së ndarjeve buxhetore dhe mungesës së kuorumit në Bordin e RTK-së — të dyja në pritje të formimit të Kuvendit. Këto shqetësime shtrihen edhe në pjesë të tjera të sistemit të RTK-së që aktualisht po i nënshtrohen procesit të ristrukturimit”.

“Aprovimi nga qeveria i një huaje për RTK-në ofron vetëm një lehtësim të përkohshëm. Megjithatë, bllokada politike që ka paralizuar Kuvendin dhe mungesa e reformave ligjore kërcënojnë pavarësinë financiare dhe qëndrueshmërinë operacionale të RTK-së. Pa veprime legjislative për të siguruar financim të qëndrueshëm, transmetuesi publik mbetet i cenueshëm ndaj presioneve politike dhe pasigurisë financiare”.

“Sa i përket kufizimeve buxhetore, 75% e buxhetit të përgjithshëm të RTK-së shkon për paga. Ndërtesa ku aktualisht është e vendosur RTK-ja është në gjendje shumë të keqe dhe nuk është në pronësi të transmetuesit publik. Disa punonjës janë pensionuar ose kanë marrë leje të papaguar. Kjo është veçanërisht e dukshme në pozitat teknike dhe në departamentet që u shërbejnë komuniteteve joshumicë”.

Postimi i plotë: