18.1 C
New York
Sunday, September 8, 2024

Buy now

Raportet Kurti-Erdogan, letra me porosi për Jerusalemin, takimi i parë e udhëtimi i mbrëmshëm për Ankara

- Advertisement -

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar mbrëmjen e së enjtes drejt Ankarasë ku do të takohet me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Lajmin e ka konfirmuar Zyra për Media e kryeministrisë, duke dhënë detaje për agjendën e kësaj vizite të kreut të Qeverisë. Kurti do të qëndrojë në Turqi deri më 3 qershor, ku edhe do të marrë pjesë në forumin e bizneseve turko-shqiptare që do të mbahet në Stamboll

Ky takim që Kurti do ta ketë me presidentin e Turqisë do të jetë i dyti në harkun kohor prej më shumë se një viti. Kurti për herë të parë pas zgjedhjes kryeministër e kishte takuar presidentin turk Erdogan më 2 shkurt 2023 në Stamboll.

Udhëtimin drejt Stambollit në shkurtin e vitit 2023 Kurti e kishte bërë dy vite pasi e kishte marrë letrën e urimit të presidentit të Turqisë pas zgjedhjes kryeministër i Kosovës. Në atë letër, përveç urimit, Erdogan ishte kujdesuar që t’ia linte Kurtit edhe një porosi rreth vendimit të Kosovës për vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“Po ashtu, u gëzova që mësova qëndrimin tuaj për rishqyrtimin e zotimit për hapjen e ambasadës së Kosovës në Kuds në rast të ardhjes së partisë suaj në qeveri. Jam i mendimit se do të ishte e dobishme që Kosova të shmangë një hap të tillë që mund të jetë shumë i dëmshëm”, kishte theksuar Erdogan në letrën e tij.

Për bisedën që kishin zhvilluar në Stamboll në takimin e parë, Kurti kishte dhënë detaje në fjalimin e tij, duke theksuar thellimin e raporteve dhe për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik e tregtar.

“E në Stamboll sot, bashkë me Presidentin Erdogan biseduam për raportet miqësore që kemi dhe për mënyrat sesi mund t’i thellojmë e forcojmë me vullnetin e dyanshëm që e kemi. Folëm për mundësitë e reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar, të sigurisë e të mbrojtjes. Diskutuam edhe për zhvillimet në rajon dhe më gjerë”, thuhej në njofitm të ZKM-së.

Për këtë udhëtim të dytë të Kurtit drejt Turqisë dhe për takimin me Erdogan pas rizgjedhjes president, kryeministria e Kosovës s’ka dhënë detaje të tjera rreth temave të mundshme që dy liderët mund të diskutojnë.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, dhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi ka udhëtuar mbrëmë drejt Turqisë.Në kryeqytetin e Turqisë, në Ankara, ai do të mirëpritet nga Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, si dhe do të takohet me Ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Kryeministri Albin Kurti i kishte shkruar një letër urimi Erdoganit pasi ky i fundit ishte rizgjedhur presidenti i Turqisë në maj të 2023-ës. Kurti kishte thënë se mezi pret që të thellojë partneritetin strategjik me Turqinë.

Ndonëse kryeministri Albin Kurti do ta zhvillojë vetëm takimin e dytë me kreun e shtetit turk, presidentja e Kosovës përgjatë kësaj periudhe kohore ka pasur raporte më intensive me presidentin turk Erdogan të cilin e ka takuar disa herë.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit