Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur falënderim të thellë për qytetarët pas përfundimit të zgjedhjeve, duke theksuar se procesi është zhvilluar në mënyrë shembullore dhe demokratike.
“Me ndjenjën më të lartë të përgjegjësisë njerëzore, institucionale e morale, shpreh respektin e thellë dhe falënderimin për çdo qytetar i cili kontribuoi që zgjedhjet në komunën tonë të zhvillohen në mënyrë shembullore”, ka deklaruar ai.
Lladrovci ka njoftuar se në orën 18:00 do të mbahet një koktej simbolik me kandidatët për Kuvend dhe anëtarët e Shtabit zgjedhor “Për Drenasin Kampion”, ndërsa në orën 18:30 do të hapet zyrtarisht selia e Degës së PDK-së në Drenas – vendi i njohur si burim i fitoreve të njëpasnjëshme.
Ai ka theksuar se ky takim nuk është shenjë arrogance, por festë e përbashkët e qytetarëve të Drenasit:
Postimi i plotë:
Qytetarë të dashur,
Me ndjenjën më të lartë të përgjegjësisë njerëzore, institucionale e morale, shpreh respektin e thellë dhe falënderimin për çdo qytetar i cili kontribuoi që zgjedhjet në komunën tonë të zhvillohen në mënyrë shembullore.
Megjithëse jemi në pritje të zyrtarizimit të rezultateve, kjo nuk na pengon të kemi një koktej për fitoren, jo vetëm fitore “Për Drenasin Kampion”, por fitore të qytetarëve krenarë e me integritet, të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm para, gjatë dhe pas luftës çlirimtare dhe shtetndërtim.
Me kandidatet dhe kandidatët për Kuvend me anëtarët e Shtabit zgjedhor, do të takohemi bashkë në zyrat ku ishim vendosur përkohësisht dhe së bashku, në ora 18:00, ndërsa rreth orës 18:30 do ta hapim simbolikisht zyrën ku ishte selia e Degës së PDK-së në Drenas, zyrë e cila me vite ka qenë burim i fitoreve.
Ftoj të gjithë anëtarët e Shtabit zgjedhor “Për Drenasin Kampion” të cilët me përkushtim të jashtëzakonshëm e sollën fitoren meritore, të vazhdojnë angazhimin dhe japin kontribut me të gjitha mundësitë për fitore në degët e PDK-së të cilat janë në balotazh.
Ky koktej nuk është përjashtim për ata që mendojnë ndryshe, as demonstrim i arrogancës së fitores, thjeshtë, është kthim te ambientet nga të cilat kishte dhe do të ketë vetëm fitore, me qytetarin e komunës së Drenasit në qendër dhe vizionit të heronjve tanë të luftës dhe paqes.
Krenar me qytetarët kampionë të zemrës së Kosovës. Fitorja e qytetarëve të Drenasit, është fitore e madhe! Faleminderit!