Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas pretendimeve lidhur me qiranë e zyrave ku aktualisht gjendet selia e Degës së PDK-së në këtë komunë, duke i cilësuar ato si dezinformime dhe si “akt arrogancë”.
Lladrovci tha se marrja me qira e zyrave në të njëjtin objekt ku më herët ishte vendosur logoja e PDK-së është një veprim i papranueshëm dhe i huaj për mentalitetin e Drenasit. Ai theksoi se as ai, e as Iniciativa qytetare “Për Drenasin Kampion”, nuk kanë pasur asnjë lidhje ose dijeni për këtë veprim, duke shtuar se largimi i tij nga ajo pronë private është bërë për të shmangur çfarëdo përplasje mes qytetarëve apo simpatizantëve me motive politike.
“Po, qytetarët e Drenasit kanë përfituar nga qeverisja e mirë jo vetëm me buxhetin shtetëror, por edhe me donacionet dhe grantet. Falënderoj z. Veseli dhe PDK-në që më besuan mandatin në vitin 2016, dhe këtë besim e kam arsyetuar me qeverisje transparente e të përgjegjshme”, u shpreh ai.
Lladrovci kujtoi se pas zgjedhjeve të fundit, brenda Degës së PDK-së ka nisur një proces jo transparent të emërimit të kandidatit për kryetar të komunës, duke rikujtuar se vendimin për kandidaturën e ka marrë Kryesia me anëtarë të emëruar dhe jo me vota.
Ai më tej tha se kandidati aktual i PDK-së për Drenasin ka hyrë në Kryesinë e degës dhe në Kryesinë e Rinisë Demokratike pa votë, vetëm me emërim, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2012 kishte arritur të merrte vetëm 17 vota, duke mos siguruar as vendin në Këshillin drejtues.
“Nuk ka bir nane që mund të më largojë nga PDK-ja. Nuk jam përçarës i Degës, por kundër atyre që veprojnë nën urdhrat e keqbërësve brenda dhe jashtë komunës”, deklaroi kryetari i Drenasit, duke shtuar se puna për qytetarët do të vazhdojë pa dirigjim.
Në fund të reagimit të tij, Lladrovci tha se deklarata e Degës së PDK-së në Drenas është dezinformim dhe u shpreh i vendosur se bashkë me qytetarët, do ta vazhdojë rrugën për “një Drenas kampion”.