18.3 C
New York
Wednesday, October 8, 2025

Buy now

Ramiz Lladrovci: Bedelët partiakë s’e kanë hallin e qytetarëve të Drenasit, por të pagës e karrierës

- Advertisement -

Kryetari i Komunës së Drenasit dhe kandidati për një mandat të ri, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ashpër ndaj atyre që i quan “bedelë partiakë”, duke theksuar se ata nuk e kanë hallin e qytetarëve të Drenasit apo të partisë, por vetëm të përfitimeve personale dhe karrierës.

Në një postim publik, Lladrovci theksoi se “orteku i fitores po i afrohet cakut”, ndërsa mikpritja dhe pjesëmarrja e qytetarëve në çdo tubim zgjedhor janë të jashtëzakonshme. Ai tha se bashkë me ekipin e tij kanë zhvilluar takime me mijëra qytetarë në çdo fshat e lagje të komunës, duke dëshmuar kulturë të lartë politike dhe komunikimi.

“Ne e duam Drenasin të zhvilluar, me perspektivë, të qeverisur me duar të pastra dhe askush mbi ligjin,” – u shpreh Lladrovci.

Kryetari shtoi se disa keqbërës po përpiqen të devijojnë vullnetin e qytetarëve përmes njerëzve të importuar nga komuna të tjera, por theksoi se asnjë bir nëne nuk e largon atë nga PDK-ja.

Bedelët po harrojnë se kur i ftojnë qytetarët e komunave të veta të votojnë për kryetarët, edhe qytetarët e Drenasit do të votojnë për kryetarin meritor, pa dallim partie,” – ka thënë ai.

Në përfundim, Lladrovci tha se bedelët partiakë nuk kanë hallin e qytetarëve të Drenasit apo të partisë, por të pagës dhe karrierës së lidhur me favore personale e familjare, duke shtuar mesazhin e tij të njohur:

Postimi i plotë:

Bedelët partiakë nuk e kanë hallin e qytetarëve të Drenasit apo të partisë – hallin e kanë te paga dhe karriera

Orteku i fitores po i afrohet cakut, mikpritja është e jashtëzakonshme gjithandej tubimeve zgjedhore, në fshatra e lagje të komunës tonë, me 101 arsyet “Për Drenasin Kampion”.

Nga takimet e zhvilluara deri më tani me mijëra qytetarë, bashkë me aktivistët, simpatizantët dhe kandidatet e kandidatët për Kuvendin e Komunës kemi dëshmuar kulturë të lartë politike dhe komunikimit me bashkëqytetarët për vizionin tonë, për Drenasin-zemrën e Kosovës.

Nga fillimi i fushatës e deri më tani, po përcjellim mesazhin për qytetarët kampionë, punën dhe përkushtimin tonë, për mirëqenien e qytetarëve, sepse, ne e duam Drenasin të zhvilluar, me perspektivë, të qeverisur me duar të pastra dhe askush mbi ligjin.

Keqbërësit kanë aktivizuar jo vetëm bedelët vendorë por edhe ata të komunave tjera, për të devijuar vullnetin e qytetarëve të zemrës së Kosovës.

E vetkuptueshme se dikush i ka detyruar, por, para se të vinë në Drenas, si e kanë gjendjen në komunat nga vijnë, si e kanë bazën e vet zgjedhore.

Bedelët po harrojnë se nuk ka bir nane që më largon nga PDK, harrojnë se kur i ftojnë qytetarët në komunat e veta të votojnë pa dallim për kryetarët, edhe qytetarët e komunës së Drenasit do të votojnë për kryetarin meritor, pa dallim partie.

Bedelët partiakë që nuk po i ndahen komunës tonë, nuk e kanë hallin e qytetarëve të Drenasit, apo të partisë, por, hallin e kanë te paga dhe karriera e lidhur me favore personale e familjare.

Me 101 arsye “Për Drenasin Kampion”

Vazhdojmë edhe katër!

Të ngjashme

Të fundit