Kreu aktual i Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj, Valon Ramadani ka bërë të ditur se ka shpallur kandidaturën edhe për një mandat për këtë pozitë.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se përveçse kanë mbetur shumë çështje në proces dhe sipas tij është edhe vullneti i shumë aktivistëve.
“Sot dorëzova kandidaturën time për një mandat tjetër si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Qendrën e Ferizajt. Përveçse kanë mbetur shumë çështje në proces, i tillë është edhe vullneti i shumë aktivistëve e anëtarëve tonë, puna dhe kërkesat e të cilëve janë udhërrëfyesi i organizimit tonë”.
“Bashkë kemi vepruar gjithnjë sipas statutit, programit dhe idealit të Lëvizjes. Kemi qenë të vendosur e të palëkundur, kur e ka kërkuar mbrojtja e Atdheut, kemi qenë bashkëpunues përtej çdo dallimi kur ky ka qenë interes i qytetarëve. Me energji të reja e më të mëdha se kurrë më parë, bashkë do t’i prijmë Lëvizjes në Ferizaj drejt rritjes së numrit të deputetëve që Lëvizja merr në këtë komunë, drejt opozitarizmit komunal me synim bërjen e një qyteti të jetueshëm e që i përgjigjet nevojave të çdo qytetari e secilit komunitet grupmoshe, dhe drejt forcimit të strukturave tona në qytet, fshat e çdo shtresë shoqërore”, ka shkruar Ramadani,
Ai është shprehur se do të punojnë për angazhimin e sa më shumë ekspertëve, intelektualëve dhe siç është shprehu ai, njerëzve me vlera nga komuna e Ferizajt, përcjell Klankosova.tv.
“Mbi të gjitha do të punojmë për angazhimin e sa më shumë ekspertëve, intelektualëve, njerëzve me vlera nga komuna jonë, duke mbajtur gjithmonë raport sa më të afërt me deputetët e anëtarët e qeverisë që vijnë nga kjo komunë.Uroj që të ketë garë, gjithsesi të hapur e fer, garë brenda bashkëpunëtorëve të së njëjtës organizatë, me ide e projekte që e bëjnë më të mirë e më efektive punën tone”, ka shkruar tutje Ramadani.