Burim Ramadani, një njohës i çështjeve të sigurisë, ish kryeinspektor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë foli sot në T7 për planin operativ të Policisë për ditën e zgjedhjeve.
“Është procedurë standarde operative e policisë edhe ndërtimi ose hartimi i planit operacional për ditën e zgjedhjeve, por po ashtu edhe njoftimin paraprak të qytetarëve. Policia ka bërë mirë edhe me planin edhe me njoftimin”, tha ai.
Ramadani tha se çështja e sigurisë në ditën e zgjedhjeve “nuk do të jetë temë”.
“Normalisht që çështja e sigurisë në ditën e zgjedhjeve, sa më shumë që demokratizohet Kosova, nuk do të jetë temë ose nuk do të jetë temë të cilës duhet t’i jepet vëmendje”, tha ai.
Ai i përgëzoi qytetarët për qetësinë që tha se e tregojnë çdoherë ditën e zgjedhjeve, të cilat tha se “zakonisht janë dhe duhet të jenë festë”.
“Duket që nuk ka pasur incidente që ia vlejnë të theksohen”, tha Ramadani.
Ai tha se mbetet për t’u parë se si dhe a do të funksionojë këtë herë mbledhja e votave në një qendër numërimi në secilën komunë.
“Qëllimi ka qenë së pari përshpejtimi i numërimit të votave për subjektet politike brenda ditës së votimit dhe së dyti, largimi i çfarëdo mundësie të manipulimit apo të ndryshimit të vullnetit të qytetarit, pra të votës për kandidatët brenda partive politike”, tha Ramadani