Deputeti Valon Ramadani ka reaguar pas djegies së ish-Gjimnazit të parë në Ferizaj.
Ramadani thotë se në hapësira ishte me vlerë të rëndësishme për historinë e qytetit, teksa deri më tani nuk ishte investuar asnjë cent në të.
“Zjarri i orëve të para të mëngjesit të sotëm duhet të hetohet detajisht dhe të zbardhen rrethanat e rastit, sepse siç duket dikujt po i pengon trashëgimia jonë kulturore dhe investimi në mbrojtjen e saj” ka thënë mes të tjerash Ramadani.
Ky është reagimi i plotë i tij:
Pikërisht në natën e parë pas fillimit të punimeve për restaurimin e objektit të ish-Gjimnazit që është pjesë e trashëgimisë kulturore, ka pasur zjarr që ka shkaktuar dëme të konsiderueshme brenda tij, edhe ashtu në gjendje për keqardhje.
Kjo hapësirë me vlerë të rëndësishme për historinë e qytetit tonë është obligim institucional dhe për mbi dy dekada, deri në ditën e djeshme, nuk u investua asnjë cent nga askush.
Zjarri i orëve të para të mëngjesit të sotëm duhet të hetohet detajisht dhe të zbardhen rrethanat e rastit, sepse siç duket dikujt po i pengon trashëgimia jonë kulturore dhe investimi në mbrojtjen e saj.
Prandaj, duhet angazhim i posaçëm i organeve të rendit për të hetuar të gjitha hollësitë e ngjarjes e cila e ka dëmtuar Gjimnazin e parë të qytetit tonë.