Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka folur në konferencën për media një ditë para ndeshjes me Celjen në Slloveni në kuadër të play-offit të Ligës së Konferencës.
Ai tha se djemtë janë shumë të motivuar dhe do të japin shpirtin në fushë, ku do të hyjnë “si gladiatorë, e jo si manekinë”.
“Ju garantoj atyre që kanë ardhur dhe kanë harxhuar para për të na parë neve, se do të shohin në fushë 11 gladiatorë, e jo 11 manekinë. Do të japin shpirtin në fushë”, deklaroi Ramadani.
Ai tha se takimi i dytë, pas humbjes prej 3-2 në ndeshjen e parë, “është edhe më i lehtë e edhe më i vështirë”.
“Jemi munduar të nxjerrim disa pika se ku mund të sulmojmë, por nuk kemi arritur ta bëjmë këtë si duhet në lojën e parë”.
“Rezultati është në disavantazh, por besimi që kishim pas pjesës së parë në ndeshjen e parë, ku e barazuam rezultatin, është se tash i kemi 90 minuta për ta përmbysur rezultatin, por mund të shkojmë edhe në vazhdime. Çfarëdo që do të bëjmë nesër është shumë mirë për neve. Duhet të luajmë pa pikë presioni. Mund të jetë ndeshja e fundit për ne për këtë edicion në Evropë, por edhe mund ta vazhdojmë”, u shpreh ai.
Ramadani shtoi se nuk do të hyjnë në ndeshjen e nesërme për t’u mbrojtur, por për të sulmuar. Megjithatë, ai tha se kundërshtari është i rrezikshëm.






