Burim Ramadani, ekspert i çështjeve të sigurisë dhe opinionist, duke komentuar veprimin e sotëm të Shqipe Selimit, e cila nuk e votoi Donika Gërvallën për kryeparlamentare, thotë se ‘ishte e pritshme që në GP të VV-së të dalin zëra normaliteti’.
“Ishte e pritur se dikur në Grupin Parlamentar të VV-së do të dalin zëra normaliteti. Kjo nuk duhet të jetë apo nuk duhet të shpjegohet si diçka për motive individuale, por për kundërshtim konceptual e parimor të bllokimit të Kosovës që po i bëjnë”, shkruan Ramadani.
Ai thotë se ka shpresë që grupi parlamentar i VV-së do të demokratizohet dhe se kundërshtimet brenda VV-së janë të shumta.
“Ngritja e zërit mospajtues duhet të vazhdojë. Duhet kundërshtuar bllokimin dhe taktikat që e mbajnë ngërçin, sepse ky bllokim po e çon shtetin e Kosovës në kolaps.
Ka shpresë që Grupi Parlamentar i VV-së do të demokratizohet.
Anipse me shumë vonesë, pas kësaj edhe në organet partiake do të fillojnë të flasim lirshëm mendimet, pa pasur frikën e linçimit!
P.S
Në diskutime jopublike, zërat e tillë kundërshtues ndaj bllokimit brenda VV-së janë të shumtë.
Në diskutimet publike, rolin e paraqitjes para mediave e kanë uzurpuar një rreth i vogël”, shkruan Ramadani.
