Njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Sadri Ramabaja, tha se aktualisht, pas sulmit të 24 shtatorit në veri të vendit, nuk mund të shkohet në tavolinën e dialogut me siç tha ai, njeriun i cili ka organizuar sulm terrorist me pretendime për zhbërjen e Kosovës.
Ramabaja në emisionin “Info-nata” në Tëvë1, tha se edhe deklarimi i kryeparlamentarit Glauk Konjufca në këtë drejtim se aktualisht prioritet i shtetit është siguria e vendit dhe jo dialogu, është i drejt.
Ramabaja tha se çështja e sigurisë në Kosovë është mjaftë serioze dhe shtoi se Qeveria po e trajton po me atë seriozitet këtë situatë.
“Edhe faktori ndërkombëtar relevant, ata që kishin projektuar planin franko-gjerman, plani që u përvetësua nga BE nuk është se kanë insistim imanent që dialogu të filloj menjëherë, nuk do të ishte krejtësisht normale një insistim i tillë.
Ndonjë diplomat i rangut të Lajçakut ndoshta edhe intereson një deklarim i tillë sepse atij i intereson të mos diskreditohet por në rrethana të tilla kur siguria e rendit kushtetues është cenuar në mënyrë flagrante, sigurisht që del në rend të parë çështja e sigurisë dhe mbetet në rend të dytë çështja e dialogut.
Dialogu pa siguri nuk ka kuptim dhe nuk mund të shkohet ne tavolinat e dialogut me personin që ka organizuar aksion terrorist të rangut që po i shohim që kishin pretendime që thjeshtë ta zhbënin Republikën e Kosovës”, tha Ramabaja.
Ai shtoi se një gjë e tillë është edhe qëllim i Serbisë.