Analisti politik, Sadri Ramabaja, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke folur për mundësinë e një mandatari të ri nga Lëvizja Vetëvendosje dhe për afërsinë e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Ramabaja tha se nuk e përjashton mundësinë që LVV të propozojë të njëjtin kandidat për mandatar, duke theksuar se presidentja është e detyruar të presë deri në afatin kushtetues përfundimtar.
“Nuk e përjashtoj një mundësi të tillë, jo për një kandidat tjetër. LVV-ja mund ta paraqesë prapë të njëjtin kandidat. Po flas në bazë të asaj që e ka shpjeguar juristi shumë i mirë, Eugen Cakolli. Presidentja është e obliguar të presë deri më datën e caktuar. Gjasat reale janë që të mos dërgohet asnjë kandidaturë tjetër dhe të krijohen parakushtet për shpalljen e datës së zgjedhjeve,” ka deklaruar Ramabaja në Tëvë1.
Ai theksoi se përcaktimi i datës së zgjedhjeve nuk duhet të shihet si çështje personale e liderëve politikë, por si proces që lidhet me rendin kushtetues dhe me respektimin e parimeve demokratike.
“Është përgjegjësi e liderëve tanë të takohen dhe të dakordohen, sepse data e zgjedhjeve nuk është çështje dëshire personale, por çështje e rendit kushtetues dhe e demokracisë. Përveç afateve kushtetuese, duhet të merret parasysh edhe fakti që një e treta e qytetarëve jetojnë jashtë vendit. Po të kishim frymë pajtuese brenda spektrit politik, do të ishte më e lehtë të gjendej një datë që i përshtatet të gjithëve,” ka shtuar ai.
Duke folur për situatën në Kuvend, Ramabaja kujtoi se Qeveria Kurti kishte pasur numrat në muajin maj, por, siç tha ai, disa lëvizje politike i kanë ndryshuar rrethanat.
“Në maj, Qeveria Kurti i pati numrat, por kjo u ndryshua nga një lëvizje hibride politike. Prandaj, nuk mund të thuhet se Kurti ka dështuar për të formuar qeverinë e re,” përfundoi Ramabaja.






