Edi Rama e nisi me një batutë fjalën e tij gjatë ceremonisë së përurimit të 522 ndërtesave të rindërtuara pas tërmetit në Laç, projekt i financuar nga qeveria turke. Ai tregoi herën e parë që kishte takuar Presidentin turk dhe tha se si ai i kishte shprehur dëshirën që ta kishte vëlla.
Rama: Kjo është një ditë e veçantë dhe unë do të flas sa më shkurt. Sot dua të tregoj një episod që nuk kam për ta harruar kurrë nga takimi im i parë me Presidentin i cili në atë kohë ishte kryeministër i Turqisë. Isha i ndrojtur sepse e njihja vetëm nga televizori dhe ju e dini që nga televizori nuk duket aq i buzëqeshur. Me thënë të drejtën, kur u takuam dhe ishim ulur ballë për ballë më shikonte por nuk buzëqeshte. Unë akoma nuk isha bërë kryeministër dhe më thotë: Dëgjo, Shqipëria dhe Kosova janë në zemrën time. Shqiptarët janë në zemrën e popullit turk. Unë dëshiroj që ti të jesh vëllai im. Por unë do të të them vëlla kur ti si kryeministër të meritosh respektin e popullit tënd.” Unë jam krenar ta quaj veten mik i Presidentit Erdogan
Rama vijoi me batutat e tij dhe tha se ka frikë nga përkthyesi turk i cili i i transmetonte mesazhin presidentit Erdogan.
Rama: E kam frikë këtë taxhumanin (përkthyesin) se nuk di si mi kthen fjalët në turqisht, por nuk kam rrugë tjetër, duhet t’i besoj se unë jam në një moshë shumë të thyer për të mësuar turqisht.
Kryeministri u shpreh se Presidenti turk “thotë atë që bën dhe bën atë që thotë.”
Nuk është e lehtë në botën e sotme, tha ai, që të gjesh njerëz që “Po-në e kanë Po dhe Jo-në e kanë Jo.”