Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvendin e Kosovës, gjatë mbledhjes së përbashkët të dy parlamenteve, thumboi homologun Albin Kurti në lidhje me marrëdhëniet e Kosovës me aleatët strategjikë.
Rama tha se Shqipëria dhe Kosova kanë shansin e artë të anëtarësimit në BE dhe kjo mund të realizohet vetëm duke mbajtur marrëdhënie të mira me partnerët ndërkombëtarë. Shefi i qeverisë në Tiranë tha se, ndërkohë që Shqipëria është në tryezën e negociatave, Kosova ndodhet e sanksionuar nga Bashkimi Evropian.
Rama shtoi se së bashku me presidenten Osmani, gjatë samitit mes BE dhe Ballkanit Perëndimor, ngritën zërin për heqjen e sanksioneve.
Duke cituar fjalët e Ibrahim Rugovës, Rama tha se Kosova duhet të ruajë marrëdhënie të mira me SHBA-të, të anëtarësohet në NATO dhe të dy shtetet shqiptare të bashkohen në BE.
“Kemi shansin historik për të qenë në BE. Këtë shans historik shqiptarët mund ta shfrytëzojnë me sukses vetëm si trimi i mirë me shokë shumë. Ndërkohë që tani Shqipëria ecën me hapa të shpejtë e të pandalshëm në udhëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian, parafytyroni se sa më krenar do t’i bënim shqiptarët anë e mbanë botës, sikur në këtë udhëtim të ishim krah për krah me Kosovën, sikur Kosova të shkëlqente njësoj ndërkombëtarisht duke hedhur vallen e re të shqiptarëve në një ritëm me pagëzuesit e lirisë dhe me bekuesit e pavarësisë së saj, sikur në sofrën e kombeve të Ballkanit të ishim së bashku, në krye të vendit si një shembëlltyrë dinamike dhe një mishërim i vlerave evropiane në këtë rajon, ku mos e harroni kurrë që jemi i vetmi komb që flet një gjuhë po aq të vjetër sa gjeneza e Perëndimit. Dëshira ime e zjarrtë e patregueshme dot me fjalë është që të mos jemi njëri në tryezën e negociatave, kurse tjetri në listën e sanksioneve të BE, të cilat, meqë ra fjala, janë një absurditet. Së bashku me presidenten, në Samitin e BE kemi këmbëngulur me forcë që ato masa të hiqen dhe të gjitha formet e BE që nuk janë lëvruar të mos digjen. Por ne duhet të jemi dorë për dorë, paqeruajtës dhe paqedashës,” tha Rama.