Kryetari I Prishtinës Përpaim Rama ka bërë të ditur se sonte fillon largimi I mbeturinave. Ndërsa ka thënë se Komuna e Prishtinës po përballet me një sabotim të hapur nga ndërmarrja “Pastrimi”, një kompani publike që nën drejtimin aktual, është shndërruar në simbol të keqmenaxhimit dhe mungesës së përgjegjësisë.
Postimi i plotë i Ramës:
Sonte, Kryeqyteti do të fillojë largimin e mbeturinave. Sabotazha nuk kalon!
Komuna e Prishtinës po përballet me një sabotim të hapur nga ndërmarrja “Pastrimi”, një kompani publike që, nën drejtimin aktual, është shndërruar në simbol të keqmenaxhimit dhe mungesës së përgjegjësisë.
Gjatë mandatit tonë, kjo ndërmarrje ka përfituar:
• 11.5 milionë euro të hyra direkte nga Komuna e Prishtinës, në bazë të detyrimeve kontraktuale,
• 1.4 milionë euro për blerjen e kamionëve të rinj të pastrimit,
• 3,800 kontejnerë të rinj, të financuar nga Komuna,
• 400,000 euro në formë subvencionesh shtesë.
Megjithatë, përkundër kësaj përkrahjeje të jashtëzakonshme, menaxhmenti i “Pastrimi”-t ka keqpërdorur paranë publike për:
• Rritje të pagave për kryeshefin dhe menaxhmentin,
• Punësime të panevojshme dhe të motivuara politikisht, në kundërshtim me nevojat reale të kompanisë.
Javën e kaluar, si Kryetar i Kryeqytetit, kam thirrë seancë të jashtëzakonshme për datën 13 maj 2025, me qëllim të subvencionimit të pagave të punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje në vlerë prej 300,000 euro. Për fat të keq, kjo seancë dështoi për shkak të mospjesëmarrjes së qëllimshme të opozitës.
Për informimin e qytetarëve:
Komuna e Prishtinës në dhjetor 2024 dhe në shkurt 2025 ka ftuar zyrtarisht ndërmarrjen “Pastrimi” për të nënshkruar kontratën e shërbimeve, por kjo është refuzuar qëllimisht nga menaxhmenti i saj, në një përpjekje të hapur për sabotim politik.
Kulmi i këtij sabotimi është arritur sot, me ndaljen e shërbimeve të mbledhjes së mbeturinave në të gjithë Prishtinën, ndonëse Komuna e Prishtinës është financuesi më i madh i kësaj ndërmarrjeje.
Skandaloz është fakti se kjo ndalesë vlen vetëm për Kryeqytetin, gjë që dëshmon qartë motivet politike prapa këtij vendimi.
– Deklaratat e menaxhmentit të Ndërmarrjes Pastrimi, se Komuna e Prishtinës i ka borxh 2.7 milionë euro, janë të PAVËRTETA.
– Komuna e Prishtinës ka ZERO borxh ndaj ndërmarrjes “Pastrimi”.
Situata e krijuar si rrjedhojë e mosofrimit të shërbimeve nga ndërmarrja “Pastrimi”, që rrezikon shëndetin publik në kryeqytet, do të përfundojë menjëherë.
Sonte, Kryeqyteti do të fillojë largimin e mbeturinave.
Do të shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat alternativë që kemi në dispozicion.
Sabotazha nuk kalon!
Ju sigurojmë që Kryeqyteti është duke shqyrtuar të gjitha mundësitë ligjore për të mos lejuar përsëritjen e situatave të tilla.
Qytetarët e Prishtinës meritojnë shërbim të denjë – jo shantazh politik!