Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se vendin e kanë vizituar 8.5 milionë vizitorë nga janari deri në gusht.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Rama ka thënë se pati një numër më të lartë se vitin e kaluar.
“Ata ishin jo vetëm më të shumtë në numër krahasuar me vitin e shkuar të shpërthimit të Shqipërisë Turistike, por edhe me një larmishmëri më të madhe të vendeve të origjinës, nga ku patjetër janë rritur flukset e mëparshme prej burimeve të mëparshme, po edhe janë shfaqur flukse të reja turistësh nga vendet të largëta si Meksika, Brazili, Kanadaja, Zelanda e re dhe Australia, po edhe nga Azerbajxhani, Kina e Japonia.” – ka thënë ai.
Tutje, Rama ka deklaruar se viti turistik po vazhdon ende.
“Të dhënat e këtij tetëmujori të parë premtojnë rritje të mëtejshme në rrugën drejt Shqipërisë 2030, ndërsa viti turistik vijon me grupe të tëra që shijojnë destinacionet e shumta nga veriu në jug, në majat e maleve, pikat e trashëgimisë kulturore, luginat e lumenjtë përgjatë trupit të mrekullueshëm të Shqipërisë, si edhe në Tiranën e kthyer në stacionin e preferuar të turistëve”.