17.8 C
New York
Saturday, May 24, 2025

Buy now

Rama: Shqipëria, një “Itali e re” në zemër të Europës! Integrimi në BE, ëndrra jonë e përbashkët

- Advertisement -

 

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një intervistë për Richard Attias, organizatorin e Forumit Ekonomik Ndërkombëtar, që u mbajt për herë të parë në Shqipëri, menjëherë pas Samitit të Komunitetit Politik Evropian. Gjatë intervistës, Rama shpalosi vizionin e tij për integrimin europian, zhvillimin e vendit dhe rolin e grave në politikë.

Duke folur për rëndësinë e zhvillimeve të fundit në Tiranë, ai u shpreh:

“Ajo që dua të them është se çfarë ndodhi në Tiranë ishte e paimagjinueshme, deri jo shumë kohë më parë dhe dua t’ju falënderoj shumë ju dhe Institutin tuaj për këtë mundësi të jashtëzakonshme.”

Rama theksoi potencialin e Shqipërisë si një vend unik në rajon, duke e krahasuar me një version të ri të Italisë.

“Unë do preferoja një ‘Itali e re’, ku gjen mundësi, ku gjen kënaqësinë e mikpritjes, të ushqimit, por ku nuk e humbet buzëqeshjen. Ne na ka bekuar Zoti, por na ka mallkuar historia, një mallkim ku, për të qenë i sinqertë, kemi pasur edhe kontributin tonë për shumë e shumë vite dhe shekuj. Ky vend, me një territor shumë të vogël, ku gjen dy dete, male, nëntë lumenj, liqene, është vërtet një vend për t’u vizituar, një vend për të qëndruar, për të investuar.”

Përsa i përket zhvillimit ekonomik, Rama u ndal tek energjia si një nga pasuritë më të mëdha të vendit:

“Ne kemi një vend shumë, shumë të mirëpozicionuar gjeografikisht dhe politikisht për të bërë shumë më tepër për energjinë dhe po e bëjmë. Për momentin jemi të angazhuar në një projekt shumë të madh bashkë me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara për linjën nënujore që lidh Shqipërinë me Italinë, domethënë dy anët e Europës përmes Adriatikut dhe për të bërë maksimumin me atë që e kemi thesar këtu – energjinë tërësisht të gjelbër. Problemi është se kemi shumë energji hidrike dhe tashmë po ngremë energjinë diellore.”

Në raport me Bashkimin Evropian, Kryeministri vuri në dukje vështirësitë vendimmarrëse që, sipas tij, e pengojnë këtë strukturë të reagojë me efikasitet ndaj sfidave globale:

“Një nga problemet që shoh te BE-ja është vështirësia e daljes me një vendim, pasi ka shumë mjekë për një pacient, që hahen me njëri-tjetrin për të gjetur diagnozën, hahen se cili është mjekimi i duhur dhe, në një farë mënyre, BE-ja po vuan nga ky proces demokratik. Sidoqoftë, thelbi i kësaj është që BE-ja duhet të mendojë se mënyra e vetme për t’iu bërë ballë fuqive që po dalin në pah dhe këtij rendi të ri që po lind, është të bëjë të pamendueshmen për të thyer fuqishëm paragjykimet që janë krijuar.”

Duke u ndalur tek roli i grave në politikë, Rama solli një retrospektivë sociale dhe politike:

“Kanuni i famshëm ka edhe anën mjaft të errët për gratë, e konsideron gruan si një prej kafshëve të shtëpisë, bagëti. Kur erdhi komunizmi, fliste për emancipim, por ajo çfarë bëri ishte që i detyroi gratë të dilnin nga shtëpia, të punonin. Kur erdhi liria, patëm një valë të parë të Miss Albania, Miss Tirana, Miss Shkolla, madje edhe Miss Kopshti, sepse ishte një lloj reaksioni për të nxjerrë në pah anën femërore. Megjithatë, as kjo nuk ishte mënyra e duhur. Kur mora kryesimin e Partisë Socialiste, nisëm të vendosnim kuota, të ftonim gratë dhe vajzat të merrnin pjesë, dhe kështu ndryshuam gjithçka. Ia vlen, ia vlen shumë.”

Në rrafshin personal, Rama foli për lidhjen e tij me artin dhe se si kjo e ndihmon në qeverisje:

“Unë vizatoj gjatë takimeve dhe kjo më ndihmon të ruaj një lloj ekuilibri. Besoj se më ka ndihmuar në fillime, kur isha kryetar bashkie dhe nisa të lyeja me ngjyra – se s’kishim para – ndërtesat, pastaj nga ngjyrat shkuam më tej. Përgjithësisht, ka një prirje të njerëzve që thonë: ‘Na duhen artistë të na qeverisin’, po do të thosha nuk është e vërtetë. Është personi, jo profesioni. Mund të kesh një artist që është tmerr dhe mund të kesh një jurist që është fantastik për të qeverisur.”

Në përmbyllje, Kryeministri ndau një reflektim mbi aspiratën e tij për të ardhmen e Europës dhe vendit:

“Ëndrra ime është ndërtimi i një Evrope më të madhe, jo domosdoshmërisht të gjithë brenda Bashkimit Europian, por të bashkuar në vlera, paqe dhe komunitet.”

Të ngjashme

Të fundit