Kryetari i Prishtinës Përparim Rama dhe drejtori për Shërbime Publike Bekim Brestovci kanë njoftuar sot mbi situatën e jashtëzakonshme të krijuar me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, raporton EO.
Kryetari Rama përmes një konference për media tha se situata me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet po përkeqësohet.
Ai ka thënë se Kompania “Pastrimi” nuk e ka arritur asnjëherë nivelin e kënaqshëm për grumbullimin e mbeturinave. “Në të gjitha anët e kryeqytetit kemi përkeqësim të gjendjes me mbeturina. Nuk do të biem pre e tentativave politike për të dëmtuar imazhin e qytetit”, ka thënë Rama.
Ai ka theksuar se është i vendosur për një pastrim të mirëfilltë të kryeqytetit.
“Na duhet angazhim i mirëfilltë i kompanive private shtesë sepse do ta kemi gjendjen që kemi pasur. Jemi të detyruar të marrim masa dhe ta mbrojmë shëndetin e qytetarëve të kryeqytetit”, tha Rama.
Ndërsa, drejtori për Shërbime Publike Bekim Brestovci ka thënë se problemi kryesor i kryeqytetit është menaxhimi me mbeturinat.
Ai ka thënë ndërmarrja “Pastrimi’ me logjistikën e saj nuk ka pasur AS mekanizmat dhe kapacitetet për të menaxhuar si duhet me mbeturinat.
“Pamundësia e ndërmarrjes ‘Pastrimi ‘për t’u ofruar qytetarëve shërbime që ka paguar dhe duke cenuar skajshmërisht shëndetin e tij. Tentativa për të ndërtuar një koncept për vitin 2025 të kryeqytetit më të pastër në rajon ka dërguar një sinjal negativ te oponentët politik”, tha ai duke potencuar se vullneti i komunës për t’i dal përballë menaxhimit të mbeturinave ka hasur në rezistencë nga opozita në komunë.
“Nga dita e sotme vetëm ndërmarrjen ‘Pastrimi’ e kemi dhe e kemi të përkeqësuar zonën në qendër dhe zona tjera”, tha ai duke fajësuara ndërmarrjen “Pastrimi” se nuk po shpërndan as kontejnerët e ndarë nga komuna.
“Kemi një keqësim të situatës përveç problemeve teknike që ka ndërmarrja ‘Pastrimi’ ka dhe ndikime politike. Sot iu bëjmë me dije se nuk do të lejojmë një situatë të tillë. Ne do të vazhdojmë me të gjitha veprimet që na mundëson ligi në fuqi që të marrim prapë situatën në kontroll”, tha ai.